Romë-Bruksel, dështon marrëveshja për emigrantët

schedule22:32 - 24 Gusht, 2018

schedule 22:32 - 24 Gusht, 2018

Bashkimi Europian dhe Italia nuk kanë gjetur dot gjuhën e përbashkët në lidhje me fatin e 150 emigrantëve që mbahen të bllokuar në një anije të ankoruar në portin e Katanias.

Përfaqësuesit e vendeve anëtare kanë refuzuar të marrin një pjesë të refugjatëve, me argumentin se numri i emigrantëve në përpjestim me popullsinë në Itali është më i ulët se në vendet e tjera. Për qeverinë italiane, kjo përgjigje është tregues se uniteti në Europë ka vdekur.

“Mbledhja e Brukselit dështoi. Ky është treguesi i radhës se Europa nuk ekziston më”, ka deklaruar zëvendës kryeministri Mateo Salvini, duke shtuar se nga anija nuk do të zbresë askush.

Ndërkohë, kryeministri Giuseppe Conte ka akuzuar lidershipin e Bashkimit Europian për hipokrizi, ndërsa zëvendësi i tij Luixhi di Maio ka deklaruar se Italia do të ndërpresë kontributin për emigrantët.

“Duan 20 miliardë që u përkasin qytetarëve italianë, të tregojnë se i meritojnë”, ka thënë Di Maio./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!