SHQIPËRI- Qeveria ka vendosur që të rikthejë përsëri procesin e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme.
Drafti është dorëzuar në Kuvend dhe parashikon që tatimi të ulet në 3% nga 15% që është aktualisht.
Përmes këtij projektligji synohet rivlerësimi i pronave duke i përafruar vlerat e banesave me atë të tregut dhe parashikohet të zbatohet nga hyrja ne fuqi e propozimit e deri me 30 qershor 2025.
Eksperti për pasuritë e paluajtshme, Dritan Ballgjini, tha se kjo nismë është lajm shumë i mirë për këdo, i cili ka planifikuar të shesë një pronë.
Sipas tij, ulja e përqindjes së tatimit me 12 %, do të thotë më shumë para në llogaritë e qytetarëve, ndërsa kjo ndikon në përafrimin e mëtejshëm të çmimit të pronës me vlerën reale që ka tregu.
Ai theksoi në “Money Report” në ABC News, se kjo lehtësi do ndikojë po ashtu në rritjen e transaksioneve në shit-blerjen e pronave.
“Rivlerësimi i pronave është një lajm pozitiv. Qeveria e shtyu disa herë procesin e rivlerësimit. Mendoj se ai individm që ka vendosur ta shesë shtëpinë, por që është vonuar i ndikuar dhe nga taksat e larta, tani do ta ketë më të lehtë pasi nga 15% ka zbaritur në 3%.
Uroj që kjo të bëhet realitet dhe mos të mbetet në kuadrin e projektligjit. Ai person që ka vendosur të shesë është i interesuar që ta bëjë. Do jetë impakt shumë i mirë dhe kjo është gjeja më e mirë që i ndodh këtij sektori. Përafrojnë vlerën e pronës me çmimin e tregut dhe kjo është shtysë për qytetarët dhe për bizneset. Kjo do të sjellë më shumë të ardhura në buxhet”, tha ai./ n.m.abcnews.al