Legjenda e Tiranës, Agustin Kola, mbron klubin dhe presidentin Halili nga akuzat për trukim. Ish-sulmuesi thotë se kryeqytetasit nuk kanë shitur kurrë ndeshje, ndërsa sulmoi disa ish-lojtarë që kanë hedhur dyshime.
Është edhe njeri emocional, por edhe i drejtpërdrejtë. Agustin Kola jo më kot vlerësohet si legjendë e Tiranës, dhe si një nga ikonat më të votuara nga tifozët bardheblu, ndaj edhe ia vlen shumë t’i marrësh një mendim për akuzat që po I bëhen klubit për trukim të ndeshjes së Kupës me Bylisin. Pra, si mendon Kola, a mund të quhet Tirana fajtore?
“Mua më vjen keq për disa… Riti asnjëherë nuk shet ndeshje. E kam thënë dhe them. Më vjen keq për të dhe iu them të mos merret me ambientin jashtë, mos të merret me këta që flasin. Kështu e kanë sulmuar edhe në kohën tonë Tiranën, me gjëra të tjera. Tani e sulmojnë me këto. Për Tiranën i vë duart në zjarr. Tirana ka lënë ndeshje për miqësi, por jo për lek”.
Kola ka disa fjalë edhe për ata që thotë se nuk duhet të dalin e të akuzojnë. “Futbolli ynë, nga viti 90 e këtej ka pasur shumë problemë. Kanë qenë protagonistë shumë lojtarë që sot dalin e flasin nëpër media. Le t’i bien trocc. Ua them edhe me emra. Le të ulen të flasin me mua, Dabulla, Patushi apo edhe të tjerë”.
Përtej dyshimeve e zhurmës së momentit, e përtej humbjes me Kukësin, Kola mbetet me besim të plotë. “Tiranën e shoh kampion, nuk është turp të të mundë Kukësi. Ata kanë një ekip perfekt. Shoh që njerëzit folin për atë që ndodhi me Bylisin dhe thonë që ‘jo Tirana nuk merr kampionatin, jo Tirana kështu, jo Tirana ashtu’. Tirana ka një ekip në ngritje. Derbi është derbi. Kur kemi qenë ne mirë, na kanë mundur ata. Ka ndodhur edhe e kundërta.
Ish-sulmuesi, që tek Tirana punoi edhe si trajner, ka një këshillë për trajnerin Emanuel Egbo. “Egbo ka merita, por të mos merret me racizmin. Unë kam luajtur vetë te Tirana dhe Egbo e di. Tiranasit janë një çik racistë, edhe sot më thonë malok. Babai më ka lindur këtu, sikurse edhe të tjerët. Prandaj mos të merret me këto punë, por të merret me ekipin”. /abcnews.al