Ish-kreu i PD Lulzim Basha dhe presidenti Ilir Meta janë bërë bashkë në një darkë të organizuar nga ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim e cila ka ftuar të gjithë ish ministrat e Jashtëm të Shqipërisë që prej vitit 1991.
Ambasada amerikane në Tiranë ka publikuar pamje nga tryeza e organizuar me rastin e festimeve për 100 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.
“Si pjesë e festimeve tona për 100 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, Ambasadorja Yuri Kim pati nderin të ftojë të gjithë Ministrat e Jashtëm të Shqipërisë që prej vitit 1991, për një darkë të veçantë në Shtëpinë Ryerson. Ambasadorja Kim shprehu vlerësimin e thellë të Shteteve të Bashkuara për kontributet e dhëna nga secili prej Ministrave në zhvillimet dhe arritjet historike të Shqipërisë, përfshirë përparimin e tranzicionit nga komunizmi në demokraci, rrugëtimin e Shqipërisë në NATO dhe drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, kryesimin e OSBE-së dhe sigurimin e një vendi në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Mbi të gjitha, ajo falënderoi Ministrat për rolin e tyre në forcimin e marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, duke kujtuar se të gjithë ata – diplomatë amerikanë dhe shqiptarë – kanë fatin që të mund të ndërtojnë mbi punën e paraardhësve dhe detyrimin për të hedhur bazat për pasardhësit e tyre. Përgëzime për miqësinë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë! Gëzuar, edhe njëqind! Grupi ngriti gjithashtu edhe një dolli për të nderuar ata të cilët nuk mundën t’i bashkoheshin mbrëmjes, Muhamet Kapllani, Alfred Serreqi, Besnik Mustafaj dhe Gent Cakaj”, shkruan ambasada amerikane.
Në tryezën e darkës, Basha është ulur në krah të ish ministrit socialist Kastriot Islami, së fundmi ish-deputet i PD, si dhe ish ministrit të LSI-së, Edmond Haxhnasto. Të pranishëm janë mes të tjerësh ministrja Olta Xhaçka, Ditmir Bushatin dhe Arta Daden, Edmond Haxhinasto, Aldo Bumç.
/abcnews.al