Rinumërimi, Berisha humb vota/ I bie alibia e “masakrës” zgjedhore dhe “trenit bullgar”

schedule15:18 - 22 Qershor, 2025

schedule 15:18 - 22 Qershor, 2025

TIRANË- Sali Berisha akuzon për vjedhje votash, por rivlerësimi i fletëve të votimit po nxjerr në pah se është Partia Demokratike ajo që ka marrë më shumë vota të pamerituara më 11 maj.

Nga hapja e 437 qendrave të votimit në Tiranë,  rezulton se aleanca për Shqipërinë Madhështore ka humbur 219 vota ndërsa partia socialiste 193 vota.

Shifra këto që nuk shuajnë vetëm shpresën e demokratëve për mandatin e 14-të në Tiranë por edhe alibinë e Berishës për humbjen e zgjedhjeve.

Jo vetëm dy partitë e mëdha, por lëvizje votash kanë patur edhe subjektet e tjera.

Kështu, partisë së Adriatik Lapajt, rinumërimi i heq 26 vota, Tom Doshit 23, Lëvizjes Bashkë 10 ndërsa Mundësia e Agron Shehajt që po Lufton për të mbajtur mandatin e dytë deri tani ka humbur 8 vota.

Një situatë të ngjashme është edhe tek votat preferenciale të kandidatëve. Rinumërimi po i kthehet në boomerang mjekut Ilir Alimehmeti, i cili kërkoi hapjen e kutive me pretendimin se I janë vjedhur votat.

Por deri tani Alimehmeti ka humbur 61 vota, Ilir Meta 28 dhe Jorida Tabaku 22. Ndërsa nga Partia socialiste me shumë vota ka humbur Ervin Hoxha, i ndjekur nga Xhemal Qefalia, Kejsi Elezi, Blendi Gonxhja dhe Fatmir Xhafaj.

Por diferenca po ngushtohet mes Olta Xhaçkës dhe Blerina Gjylametit. Me 11 maj, ish ministrja e mori mandatin me 140 vota me shumë, por deri tani rinumërimi i heq 34 vota kurse Gjylametit i shton 3 vota.

Gjatë rinumërimit, komisioni i ankimimeve dhe sanksioneve vendosi të quajë të vlefshme vetëm ato fletë ku shenja x dhe + është vendosur brenda kutisë, duke rrezuar kërkesën e partisë socialiste, e cila kërkoi që të quhen të sakta edhe rastet kur shenja është vendosur përbri emrit.

Kjo, sipas selisë rozë, është provë e dallueshme se cilën preferencë ka patur votuesi dhe e mjaftueshme për tu toleruar si gabim njerëzor. Në total, nga 173 155 fletë votimi të rinumëruara deri më tani në Tiranë, 8308 kanë rezultuar të pavlefshme./abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!