Bisedimet mes Greqisë dhe Turqisë rinisën pas pesë vjetësh, me të dyja palët që u takuan në Stamboll në fillim të kësaj jave. Mes temave kryesore ishte sigurisht çështja e eksplorimeve në Mesdheun lindor, nga ana e Ankarasë për të kërkuar gaz natyror. Dhe pse u komentua një hap i rëndësishëm përpara Athina vijon paralelisht me programin e riarmatimit.
Ishte një moment verën e kaluar në të cilin tensioni mes Greqisë dhe Turqisë ishte në pikën për t’u transformuar në një përplasje ushtarake, pas përplasjes së një fregate turke me një greke në ujërat në lindje të ishullit Rodos.
Pesë muaj më vonë, dy vendet iu rikthyen bisedimeve për të kërkuar një zgjidhje për një seri mosmarrëveshjesh që kanë të bëjnë me të drejtat e eksplorimit në Mesdheun lindor, kufijtë detarë dhe ajrorë si dhe statuin e disa ishujve në detin Egje. Këtë javë delegacionet e drejtuara nga presidenti turk Erdogan dhe kryeministri grek Mitsotakis u takuan në Stamboll për të rinisur dialogun e bllokuar pesë vjet më parë në 2016-ën.
Gjatë mbledhjes, që zgjati rreth tre orë dhe ishte me dyer të mbyllura, u fol për eksplorimet e nisura nga Ankara në Mesdheun lindor, që sipas Greqisë shkelin zonën e saj ekonomike ekskluzive, dhe pse Turqia do të donte të kishte folur për çështjen e kufijve ajrorë dhe disa ishuj që i konsideron të marra në mënyrë të paligjshme nga Athina. Nuk kishte një marrëveshje përfundimtare por do të ketë një takim të ri, ndoshta në Athinë.
Rifillimi i dialogut mes dy vendeve vjen pas disa muajsh tensionesh që e shtynë Bashkimin Europian të rreshtohet përkrah Greqisë për të ripërcaktuar ambiciet e Erdogan në Mesdhe. Në muajin dhjetor Brukseli vendosi sanksione ndaj dy kompanive të mëdha turke pas kërkimeve jo të autorizuara për gaz natyror. Franca ishte vendi që mbajti dhe qëndrimin më të ashpër ndaj Turqisë, me të cilën ka përplasje dhe për çështje të tjera nga Siria në |Libi.
Por skenari ndërkombëtar ka ndryshuar, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës tashmë është administrata e re e Biden, që Ankara e konsideron më pak armiqësor se ajo e Trump. Kjo e fundit kishte vendosur sanksione ndaj Turqisë – aleat i NATO -pas blerjes së sistemit për mbrojtje ndaj raketave, nga Rusia. Për Erdogan një riafrim me Bashkimin Europian tashmë është i domosdoshëm.
Ndërkohë Greqia nga ana e saj vijon me riarmatimin dhe si reagim ndaj tensioneve me Turqinë. Qeveria e Mitsotakis ka miratuar një plan që parashikon një rritje të shpenzimeve ushtarake me 10 miliard euro për 10 vitet e ardhshme për avionë luftarakë, fregata dhe helikopterë. Ditën kur në Stamboll diskutohej për kufijtë detarë, në Athinë ministri grek i mbrojtjes arriti një marrëveshje prej 3 miliard dollarësh për blerjen e 18 avionëve luftarakë nga Franca. Ministrja franceze e mbrojtjes u shpreh për gazetarët se Greqia ishte bendi i parë në Europë që blente këto lloj avionësh luftarakë./abcnews.al