Rilindja e Coutinhos, braziliani gjen “shpëtim” në Premier League

schedule19:39 - 22 Prill, 2020

schedule 19:39 - 22 Prill, 2020

Karriera e tij nuk ka qenë e njëjta që kur u largua nga Anglia. Philippe Coutinho ndoshta do ta gjejë shpëtimin sërish në Premier Ligë, pasi raportohet se ai është pranë kalimit te Chelsea.

Ylli brazilian, është sot pjesë e Bayern Munchen, ku është dhënë huazim nga Barcelona, por nuk pritet që klubi gjerman ta paguajë klauzolën e tij prej gati 80 milion eurosh.

Edhe pse 26-vjeçari nuk ka luajtur keq, me 8 gola e 6 asiste derisa Bundesliga u ndërpre nga Koronavirusi, sërish shifra duket e lartë për Bayernin dhe shpëtimi i tij, mund të vijë nga Chelsea.

Trajneri i Bluve të Londrës, Frank Lampard, gjykon se Coutinho është futbollisti që i duhet ekipit të tij, për shkak të talentit dhe përvojës që ai ka. Për këtë arsye, ai është gati të bisedojë me Barcelonën për transferimin e brazilianit dhe kjo mund të ndodhë për rreth 80 milion euro.

Gjithsesi, katalanasit pritet të humbasin plot 75 milionë euro, pasi ata e morën Coutinhon nga Liverpool për gati 160 milion euro në vitin 2018. Shpresohet që një nga futbollistët më të talentuar të botës, të mund të ringjallë karrierën, ndërsa ka kaluar shumë vështirësi në dy vitet e fundit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!