Rikualifikohet blloku i banimit në rrugën “Frederik Shiroka” në Njësinë 7

schedule12:40 - 28 Korrik, 2019

schedule 12:40 - 28 Korrik, 2019

Blloku i banimit “Frederik Shiroka” në njësinë 7 është vetëm një nga shumë investimet që pritet të realizojë së shpejti Bashkia e Tiranës. Kryebashkiaku Erion Veliaj tha në përfundim të punimeve të këtij blloku, se qytetarët e Tiranës nuk do të presin 4 vjet për të mbajtur premtimet.

 Mandatin e dytë, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj do t’ia dedikojë ndër të tjera ndërhyrjeve kapilare në çdo lagje të kryeqytetit. Në përfundim të punimeve në bllokun e banimit “Frederik Shiroka” në njësinë 7, Veliaj i krahasoi punimet që po bëhen në Tiranë, me ndërhyrjet kirurgjikale.

“Është një gëzim i jashtëzakonshëm kur takoj banorët dhe marrim uratat e tyre për një punë të shkëlqyer për transformimin e bllokut “Frederik Shiroka”. Është një lloj kirurgjie që po bëjmë në të gjitha cepat e Tiranës, edhe në skutat e xhepat më të thella”.

Veliaj siguroi se puna do të vijojë në të gjitha blloqet e banimit gjatë gjithë verës, si një efekt domino në të gjithë Tiranën.

 “Jam krenar për skuadrën tonë, e cila është fushatë, s’është fushatë, ka diell, ka shi, se janë pushime, se është kohë pune, ka ecur përpara. Ndihem mirënjohës për të gjithë ata që i kaluan ditët e nxehta të kësaj vere duke transformuar këtë bllok, dhe mezi pres që të shoh se si do të kalojmë në blloqet e tjera, si efekt domino, në të gjithë Tiranën”, u shpreh ai.

Pas ndërhyrjeve, Blloku i Banimit “Frederik Shiroka” ka tashmë rrugë të asfaltuara, ndriçim, hapësira çlodhëse e rrjet të ri kanalizimesh dhe të furnizimit me ujë të pijshëm. /ABC News Albania 24/7