Rikthimi si “ish”, Jonuzi: Respekt Laçit, duhet agresivitet dhe qetësi nesër

schedule13:55 - 18 Dhjetor, 2020

schedule 13:55 - 18 Dhjetor, 2020

Fjoart Jonuzi është një nga afrimet e shumta të Vllaznisë në merkaton e verës. Mesfushori kuksian ka dalë në konferencën për shtypin përkrah trajnerit Brdaric. Kuqeblutë luajnë nesër në Laç, aty ku 24-vjeçari është aktivizuar për 2.5 vite.

Jonuzi ka vetëm fjalë të mira për kurbinasit, por tani është lojtar i Vllaznisë, ndihet mirë për një gjë të tillë dhe beson se ai dhe shokët e tij do ia dalin të marrin një rezultat pozitiv në këtë transfertë.

Kam kaluar në Laç dy vite e gjysmë të mrekullueshme dhe i jam mirënjohës kësaj skuadre për periudhën që kam qenë aty. Tani jam te Vllaznia, e vlerësojmë maksimalisht këtë kundërshtar, ka cilësi në radhët e tij dhe ka vite që është pjesëmarrës në Kupat e Europës. Por ne jemi Vllaznia. Kemi besim te grupi, tani nuk ka pse të kemi presion.

Do të shkojmë në Laç thjesht me idenë për të bërë lojën tonë dhe besoj se do të marrim një rezultat pozitiv. Normalisht që kam emocione sepse kur je një ‘ish’, emocionet janë të pranishme, por tani jam i fokusuar tek ekipi im dhe shpresoj të marrim një rezultat pozitiv.

Normalisht që jam i kënaqur. Çdo futbollist do kohën e vet që të ambientohet, ndërkohë që unë jam bashkuar i fundit me grupin. Më bëhet qejfi që kam filluar të krijoj besim te stafi dhe te trajneri, shpresoj t’ia shpërblej më mirë.

Jam shumë i kënaqur që jam pjesë e kësaj skuadre. Vllaznia ka një ndër tifozeritë më të mira në Shqipëri dhe atmosfera shihet kudo nëpër qytet ku është një ambient shumë miqësor. Normalisht edhe kur rezultatet janë të mira, edhe të respektojnë dhe ne shpresojmë të vazhdojmë kështu, sepse na ndihmojnë shumë edhe për ecurinë e ekipit.

Kundërshtari? Laçi është një ekip që karakteristikë të tij kryesore ka lojën agresive. Ne duhet të shkojmë atje me qetësi, normalisht që duhet t’i përgjigjemi me të njëjtën monedhë, por duhet të ruajmë edhe qetësinë, sepse nuk e kemi aq shumë atë presionin e pikëve, kështu që jemi në pozita më komode“, përfundon Jonuzi. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!