Ata që ndoshta e kishin harruar tashmë u kujtuan për të. Xhakomo Vrioni u kthye në Europë me jehonë të fuqishme, duke braktisur aventurën në “Tokën e Premtuar” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sulmuesi, që ka veshur edhe fanelën e kombëtares, nisi në mënyrën më të shkëlqyer sezonin e ri në Austri. Shënoi dy gola për ekipin e tij, Volfsberg, në një fitore të madhe 3-0 arritur ndaj asaj që është skuadra më e shquar austriake, Austria e Vjenës.
Vrioni 27-vjeçar, ish-Kepucë e Artë e Bundesligës austriake, vazhdoi me formën që kishte treguar në ndeshjet miqësore, në të cilat shënoi shumë rrjeta. Ylli shqiptar realizoi në minutën e 18-të me penallti dhe pastaj në të 63-ën sërish nga pika e 11-metërshit.
Goli I dytë për Volfsbergerin u realizua nga Shvarc në 49’, ndërsa fakti që sulmuesi ynë mer përsipër penalltitë tregon për rëndësinë që ai ka në skuadër. Për futbollistin, që doli nga Juventusi, ky ishte një rikthim në Bundesligën austriake për herë të parë që nga viti 2022, kur shënoi 19 gola në kampionat duke qenë Këpuca e Artë. Ndoshta edhe këtë sezon do të luftojë për këtë trofe individual./abcnews.al


