Rikthehen tragjeditë, 35 emigrantë humbin jetën

schedule11:46 - 3 Qershor, 2018

schedule 11:46 - 3 Qershor, 2018

35 emigrantë kanë humbur jetën në mënyrë tragjike në brigjet e Tunizisë ndërsa anija e tyre është fundosur. Nga ana tjetër dhe 9 emigrantë të tjerë humbën jetën në brigjet turke, ndërsa po udhëtonin drejt vendeve të BE-së për një jetë më të mirë.

Moti i mirë ka rikthyer dhe tragjeditë në Mesdhe. Tridhjetë e pesë persona u mbytën ndërsa 68 emigrantë u shpëtuan në jug të Tunizisë, njoftoi të dielën Ministria e Brendshme tuniziane. Anija e tyre ishte gati të fundosej jashtë brigjeve të zonës së njohur si Sfax. Sipas një komunikate nga ministria, u shpëtuan 68 pasagjerë, mes të cilëve tunizianë dhe të huaj.

Në mesditë, “rojet bregdetare dhe marina vazhduan kërkimin e tyre me mbështetjen e një avioni ushtarak”, sqaruan autoritetet e Tunizisë. Një thirrje për ndihmë u dëgjua mbrëmjen e së shtunës dhe orët e para të së dielës, nga “një anije peshkimi që po mbytej me emigrantët në bord”. Tunizianët përpiqen rregullisht të kalojnë Mesdheun, për të shkuar drejt Italisë, për të kërkuar një të ardhme më të mirë. Sipas OJQ-ve, kjo reflekton pakënaqësi të vazhdueshme mes të rinjve, të cilët janë shumë të prekur nga papunësia.

Ndërkohë, gjatë së dielës 9 emigrantë, mes të cilëve 6 fëmijë kanë humbur jetën pasi mjeti lundrues me të cilin udhëtonin është fundosur në afërsi të brigjeve të Turqisë. Lajmi është bërë i ditur nga agjencia shtetërore Anadollu. Mjeti lundrues ka pësuar një avari në gjirin e Antalias, një vend ky mjaft I frekuentuar nga turistët. Menjëherë në vendngjarje kanë ndërhyrë rojet bregdetare që kanë bërë të mundur shpëtimin e 5 personave. Emigrantët që po udhëtonin në det ishin nga Lindja e Mesme, kryesisht Siria. Destinacioni i tyre ishte Greqia ose Italia./abcnews.al