Pas gati 3 muajsh këtë të hënë u ripahen kopshtet dhe çerdhet në të gjithë vendin, institucione të cilat ishin mbyllur për shkak të pandemisë.
Prindërit së bashku me të vegjlit janë mirëpritur nga edukatoret që në hyrje të kopshtit apo çerdhes me termometër.
Edukatoret të pajisura me maskë dhe doreza u kontrollojnë temperaturën fëmijëve dhe me pas ata lejohen të futen brenda.
Një masë tjetër pjesë e protokollit të sigurisë janë edhe vasketat me dezinfektantë për këpucët e fëmijëve, të cilët më pas sistemohen nga edukatoret në grupin përkatës.
Duke qenë se vogëlushet do ndajnë ambiente të përbashkëta, janë marrë masat që në një klasë mos të ketë më shumë se 15 fëmijë.
Po ashtu për të ruajtur distancën e fëmijëve nga njëri-tjetri, në momentin që ata do kenë orarin e gjumit, kopshtet dhe çerdhet aplikojmë metodën një krevat me fëmijë dhe një krevat bosh.
Gjatë së hënës të shumtë ishin dhe prindërit e gjyshërit që kishin vendosur të mos t’i dërgonin të vegjlit në kopshte e çerdhe, por të shfrytëzonin qëndrimin dhe lojërat në parqe.
“E mbaj vetë. Është më e sigurt ta mbaj vetë në shtëpi se sa në kopsht apo çerdhe. Prindërit punojnë, gjyshi është për këtë punë”, shprehet një prej gjyshërve.
“Tani kemi frikë nga virusi se mos infektohen fëmijët, por tani edhe me mirë se janë mësuar në shtëpi. Djali po kënaqet në park sepse ka qenë 2 muaj i mbyllur në karantinë dhe ishte presion i madh për të. Tani po kënaqet duke luajtur me shokët në park”, shprehet ai.
Me rregullat e reja, vetëm njëri nga prindërit lejohet ta dërgoje fëmijën në kopsht apo çerdhe, ndërsa gjyshërit e kanë të ndaluar.
“Unë e kam mbesë por nuk e çoj as në kopsht as në çerdhe. Arsyeja është sepse prindërit janë në Greqi dhe që ta çoj në kopsht duhet të jetë e ëma. Dhe për këtë arsye nuk na e pranojnë”, shprehet ai.
Vetëm në territorin e Bashkisë Tiranë me 1 qershor u rihapen 35 çerdhe dhe 95 kopshte publike, institucione të cilat do qëndrojnë hapura gjatë gjithë stinës së verës./abcnews.al