Rifillimi i punimeve tek “Veliera”, shoqëria civile në protestë

schedule15:59 - 15 Mars, 2019

schedule 15:59 - 15 Mars, 2019

Shoqëria civile organizoi paraditen e sotme një protestë kundër punimeve që kanë nisur tek Veliera në Durrës. Ambientalisti Sazan Guri tha se me këtë projekt po shkatërrohen vlera arkeologjike. Punimet rifilluan pas dy vitesh bllokimi pasi çështja kaloi në disa shkallë gjyqësore.

Përfaqësues të shoqërisë civile të mbështetur nga dega e Partisë Demokratike në Durrës protestuan kundër rifillimit të punimeve për zbatimin e projektit “Veliera”. Sazan Guri, një nga zërat kundër ndërtimit të Velierës, tha se po shkatërrojnë vlera të rralla arkeologjike.

Sipas tij, fadromat kanë shkatërruar muret që ishin pjesë e godinës së Princ Vidit.

Nënkryetari i degës së PD-së, Adrian Muka, tha se bashkia e re që do dalë nga zgjedhjet do të mbajë referendum për këtë çështje në mënyrë që qytetarët të shprehen nëse e duan apo jo këtë projekt në mes të qytetit. Protestuesit kërkuan pezullimin e investimit dhe bllokimin e punimeve në zonën “A” dhe “B”, të konsideruara zona arkeologjike.

Përfaqësues të shoqërisë Civile e ndoqën në disa shkallë gjyqësore kërkesë-padinë për anulimin e projektit, por në fund Gjykata Administrative e Apelit Tiranë e rrëzoi kërkesën e tyre dhe i hapi rrugë rifillimit të punimeve.

Projekti zbatohet nga Bashkia e Durrësit dhe pas vendimit të Gjykatës Administrative kanë rinisur punimet, të cilat ishin bllokuar prej rreth 2 vitesh. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!