Ridvan Berisha: Bojkoti i zgjedhjeve nga Lista Serbe do shoqërohet me probleme

schedule16:32 - 27 Mars, 2023

schedule 16:32 - 27 Mars, 2023

PRISHTINË- Analisti, Ridvan Berisha, thotë se vendimi i Listës Serbe për të mos marrë pjesë në zgjedhjet që do mbahen në veri të Kosovës do shoqërohet me probleme politike. Ai tha se pjesa dërrmuese e qytetarëve në veri janë nën presionin e grupeve kriminale, të cilat u kërkojnë të mos dalin në zgjedhje.

“Tashmë problemi nuk duket të jetë teknik, se sa do jetë pesha e madhe e problemit politik. Bojkotim i procesit zgjedhor nga partia më e madhe nga Lista Serbe , do ta vendosë në pikëpyetje legjitimitetin e procesit zgjedhor. Në bazë të informacioneve që kemi ne mbi 90 % e qytetarëve janë nën trysninë e grupeve kriminale, ka të ngjarë që mos të marrin pjesë në këtë proces zgjedhor. Problemi i madh do jetë ai politik, sepse cilido kandidat garues nuk do ta ketë legjitimitetin e duhur të këtij procesi zgjedhor”, tha ai në “Ballkan Update” në Abc News.

Ai theksoi se Kosova duhet ta krijojë asociacionin e komunave me shumicë serbe, por pa cenuar kushtetutshmërinë e vendit.

“Problemi qëndron tek pika shtatë dhe e dhjeta e marrëveshjes, e cila është riformuluar”, tha ai.

Analisti u ndal gjithashtu tek krimet serbe në Kosovë dhe tek përkujtimet e bëra nga politikanët. Sipas tij, politika duhet t’i lërë fjalët mënjanë, por të shtojë grupin e hetuesve për krimet që Serbia ka kryer gjatë luftës në Kosovë.

“Kurti ka maskuar figurën e tij për të ardhur në pushtet. Unë nuk pres sinqeritet nga politika, pres së paku, që të dyja vendet Kosova dhe Shqipëria të mbajnë një kohezion raportesh, duke mos ndërtuar narrativa armiqësore për llogari elektorale. Askush nuk e ndal Kosovën, që të ndjekë krimet e luftës dhe t’i gjykojë kriminelët në mungesë. T’ua shtojnë buxhetin prokurorive. Pres që politikanët të jenë më pragmatikë dhe të mos shndërron në figura të mitizuara, që imitojnë role profetësh apo role të tjera që nuk u takojnë. Me Shqipërinë pres raport më të hapur”, tha ai./n.m.abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!