Richard Orlinski në Tiranë/ Veprat e skulptorit të njohur çelin javën franceze në Tiranë

schedule15:56 - 13 Maj, 2024

schedule 15:56 - 13 Maj, 2024

Veprat e skulptorit të njohur francez Richard Orlinski kanë ardhur në Tiranë dhe janë ekspozuar përpara Piramidës. Me këtë ekspozitë hapet java kulturore franceze në kryeqytet.

Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se këto nisma janë një urë e rëndësishme në bashkëpunimin mes dy vendeve. “Ky ka qenë një vit shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe Francën. Përveç javës simbolike të Kulturës, i gjithë viti ka qenë një vit francez. Edhe kryeministri dje, u kthye nga Athina pas një vizite të jashtëzakonshme dhe shumë entuziaste dhe ndoshta që do të mbahet mend në histori shumë gjatë me diasporën atje, ne gjithashtu sapo u kthyem nga Venecia, ku patëm binjakëzimin e Tiranës me Venecian, kryeqytetin e artit, bienales, dhe shumë aktiviteteve të tjera. Java e Kulturës Franceze do të ketë përqendrimin më të madh të aktiviteteve, por ne do të kemi edhe mbjelljen e disa nismave të reja, që do të jenë urë mes Shqipërisë dhe Francës në afatgjatë”, theksoi Veliaj.

Ndërkaq, në mbrëmje te Piramida do të përurohet edhe Kubi Francez. “Sot pasdite hapim Kubin Francez dhe mezi pres vijimin e Javëve të tjera të Kulturës. Këtë javë hapim kinemanë “Maks Velo”, për t’i dhënë vëmendje jo vetëm qendrës së Tiranës, por edhe periferisë, ashtu siç ndodh me Marubin në Kinostudio, ashtu siç po ndodh tani me qendrën tonë dixhitale, te kinema Agimi. Jam gjithmonë besimtar i faktit se fjalët e sherret i merr era, kurse në finale njerëzit do të thonë: puna, puna, puna”, theksoi Veliaj.

Ambasadorja Catherine Suard i shprehu mirënjohjen kryebashkiakut Veliaj dhe Bashkisë së Tiranës për gatishëmrinë e treguar për të çuar përpara këto projekte. “Është artisti bashkëkohor më i shitur në botë dhe është hera e parë që veprat e tij ekspozohen në Tiranë. Mendimi im personal është se këto vepra nuk mund të kishin gjetur një “kuti” më të mirë stolish, kaq me ngjyra, kaq bashkëkohore popullore e të hapur, sa Piramida e Tiranës. Dua të falenderoj kryetarin e Bashkisë dhe Bashkinë e Tiranës, që e mbështet kaq shumë këtë projekt, që besoi tek ne dhe kontribuoi kaq shumë në realizimin e kësaj ekspozite”, tha Suard.

Aktivitetet e Javëve Kulturore Ndërkombëtare do të vijojë nga data 13-19 maj me Francën. Koncerte, ekspozitat, shfaqje, kulinari, lojëra, shfaqje cirku dhe argëtimi pa fund, do të na shoqëroje përgjatë gjithë këtyre ditëve.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!