“Revolucioni” i PD, deputeti Gështenja: Ne kemi probleme të shumta brenda vetes

schedule17:34 - 14 Shkurt, 2023

schedule 17:34 - 14 Shkurt, 2023

TIRANË- Sali Berisha e quajti protestën e djeshme një revolucion qytetar, por pjesëmarrja ishte shumë e ulët për të përligjur një cilësim të tillë. Lefter Gështenja, deputet i PD, u shpreh se opozita ka shumë probleme brenda saj, por sipas tij fajin kryesor e ka mazhoranca qeverisëse.

“Parlamenti ka hyrë në një ngërç, duke filluar nga seanca e parë, e cila me të padrejtë nga drejtuesja e Kuvendit iu është hequr fjala deputetëve të regjistruar për të folur, e njëjta gjë ndodhi dje, të gjithë deputetët ishin regjistruar për të folur. Nuk na është dhënë mundësia, na është hequr e drejta e fjalës, edhe fjalën kjo mazhorancë ia heq fjalën. Në parlamentin shqiptar ka pasur situata më të tensionuar se dje. Është hera e tretë që kryeministri Rama nuk paraqitet në Kuvend dhe është detyrë e kryeministrit të vijë. Atë kur e kërkon qoftë dhe një deputet, jo më një grup deputetësh”, tha ai.

Gjatë intervistës në emisionin “NewsLine” në ABC News me Viol Xhafaj, deputeti demokrat theksoi se në dy protestat e fundit nuk kishte revolucion siç u pretendua nga organizatorët.

“Nuk është lëkundur qeveri, por qeveria është strukur, është fshehur. Kemi tre herë që mazhoranca I mbyll seancat me fuqinë e kartonëve. Ne kemi problemet tona sot, kemi probleme brenda vetes. Problemi shqiptarëve është mazhoranca. Dje isha në Parlament. Kam qenë në çdo protestë. Nuk kam qenë kurrë për protesta të natyrave personale. Opozita ka përgjegjësitë e saj, por faji kryesor është keqqeverisja.

I pyetur për vendimin që pritet të marrë Gjykata e Apelit për vulën dhe siglën e PD, Gështenja theksoi se do respektojë çdo vendim të drejtësisë. Sipas tij, kur flet drejtësia, politika duhet të dijë të heshtë.

“Unë do respektoj çdo vendim gjykate. Kur flet ajo, politika hesht. PD, por edhe e gjithë opozita do duhej të dilte me një kandidat me këto zgjedhje vendore, si e vetmja rrugë për të mundur mazhoranca. Unë personalisht do respektoj vendimin e gjykatës. Jo, nuk kam informacion”, shtoi ai/n.m.abcnews.al