Shqipëria është një nga destinacionet më interesante që po zbulohet gjithnjë e më shumë nga turistët në Mesdhe, shkruan Raffaele Giuseppe Lopardo në botimin francez të revistës së udhëtimeve FullTravel.it.
Ata që e vizitojnë për herë të parë, e kuptojnë shpejt se vendi nuk është vetëm një destinacion bregdetar.
Shqipëria ka një histori të pasur, qytete të vjetra osmane të ruajtura mirë dhe të mbrojtura nga UNESCO, si edhe një bregdet mahnitës në detin Jon, i cili vitet e fundit ka tërhequr turistë nga e gjithë Evropa.
Një javë konsiderohet kohë ideale për të zbuluar të dyja anët e vendit, qytetet historike në brendësi dhe plazhet e jugut.
Një itinerar i organizuar mirë mund të nisë nga Tirana dhe të vazhdojë gradualisht drejt jugut, duke kombinuar kulturën, historinë, gastronominë dhe pushimet në bregdet.
Tirana, pika e nisjes së udhëtimit
Shumica e turistëve e nisin udhëtimin nga Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë. Qyteti është në zhvillim të vazhdueshëm dhe meriton të paktën një ditë për t’u vizituar.
Në qendër ndodhet sheshi “Skënderbej”, i rrethuar nga institucionet kryesore dhe muzetë.
Tirana ndërthur ndërtesat e periudhës komuniste me arkitekturën moderne dhe fasadat shumëngjyrëshe, duke reflektuar ndryshimet e mëdha që ka përjetuar vendi.
Ata që duan të njohin më mirë periudhën komuniste mund të vizitojnë Bunk’Art, ndërsa për një pamje panoramike të kryeqytetit mund të përdorin teleferikun drejt malit të Dajtit.
Nga Tirana, udhëtimi vazhdon drejt jugut, në drejtim të dy qyteteve që konsiderohen zemra historike dhe kulturore e Shqipërisë: Beratit dhe Gjirokastrës.
Berati, “qyteti i një mbi një dritareve”
Ndalesa e parë është Berati, i njohur si “qyteti i një mbi një dritareve”.
Që prej vitit 2008, Berati është pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, falë arkitekturës së tij osmane të ruajtur në mënyrë të jashtëzakonshme.
Pamja karakteristike e qytetit krijohet nga shtëpitë e ndërtuara njëra mbi tjetrën në shpatet e kodrave, me dritare të shumta që shikojnë drejt lumit Osum.
Lumi ndan qytetin në dy lagjet historike, Mangalem dhe Gorica.
Mbi qytet ngrihet Kalaja e Beratit, e cila mund të arrihet në këmbë ose me automjet.
Brenda saj gjenden ende banorë, kisha bizantine dhe Muzeu Onufri, kushtuar piktorit të njohur shqiptar të ikonave.
Një shëtitje në rrugicat me kalldrëm të lagjes Gorica, veçanërisht në perëndim të diellit, ofron një nga përvojat më të bukura në qytet.
Berati nuk paraqitet thjesht si një muze në natyrë, por si një qytet i gjallë ku historia vazhdon të jetë pjesë e jetës së përditshme.
Gjirokastra, “qyteti i gurtë”
Ndalesa e dytë historike është Gjirokastra, e përfshirë në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që prej vitit 2005.
Qyteti njihet si “Qyteti i gurtë”, për shkak të çative karakteristike prej guri që mbulojnë shtëpitë tradicionale.
Qendra historike është një nga shembujt më të rrallë të një qyteti osman të ruajtur mirë.
Aty gjenden shtëpitë karakteristike të tipit kullë, të ndërtuara ndërmjet shekujve XVII dhe XIX, të cilat kombinonin funksionin mbrojtës me arkitekturën tradicionale.
Mbi qytet ngrihet Kalaja e Gjirokastrës, ndërsa pazari historik është një nga zonat më të frekuentuara, me dyqane, restorante dhe produkte tradicionale.
Turistët mund të vizitojnë gjithashtu shtëpi muze, si Shtëpia e Zekatëve, ku mund të shohin nga afër mënyrën tradicionale të jetesës së familjeve të pasura shqiptare.
Gjirokastra është gjithashtu një vend ideal për të provuar kuzhinën tradicionale, me gatime me mish qengji, perime dhe ëmbëlsira si trileçja.
Pozicioni i saj e bën qytetin një pikë të rëndësishme në rrugën drejt Sarandës dhe Rivierës shqiptare.
Nga qytetet historike drejt plazheve të Jonit
Pas Gjirokastrës, udhëtimi vazhdon drejt detit Jon dhe Rivierës së Shqipërisë.
Zona që shtrihet nga Saranda dhe Ksamili deri në Himarë dhe Dhërmi ofron ujëra të kristalta, gjire të vegjël dhe plazhe, që vitet e fundit kanë rritur ndjeshëm popullaritetin turistik të Shqipërisë.
Gjatë sezonit të verës, plazhet më të njohura mund të jenë të mbushura me turistë, por bregdeti i gjatë dhe i larmishëm shqiptar, ofron gjithmonë mundësi për të gjetur zona më të qeta.
Si të lëvizni gjatë udhëtimit?
Për një itinerar që përfshin Tiranën, Beratin, Gjirokastrën dhe Rivierën, automjeti personal ose makina me qira konsiderohet zgjidhja më praktike.
Transporti publik ekziston, por shpesh është më i ngadaltë dhe më pak fleksibël.
Në disa zona përdoren ende furgonët, të cilët mund të mos kenë orare të rregullta dhe nisen kur mbushen me pasagjerë.
Për këtë arsye, turistët që duan të vizitojnë disa destinacione brenda një jave, e kanë më të lehtë të lëvizin me automjet, pasi mund të organizojnë vetë kohën dhe të arrijnë edhe në plazhe apo fshatra më pak të aksesueshme me transport publik.
Nga byreku tradicional te prodhimet e freskëta të detit
Kuzhina shqiptare është një tjetër pjesë e rëndësishme e udhëtimit.
Në zonat e brendshme të vendit dominojnë produktet e qumështit, mishi i qengjit dhe gatimet tradicionale të trashëguara ndër shekuj.
Një nga ushqimet më karakteristike është byreku, i përgatitur me petë të holla dhe i mbushur me djathë, spinaq ose mish.
Ai konsumohet si ushqim i shpejtë, por është gjithashtu pjesë e tryezës tradicionale shqiptare.
Ndër gatimet më të njohura është tava e kosit, një specialitet tradicional me mish qengji, kos dhe vezë, i pjekur në furrë dhe me origjinë nga Elbasani.
Në Tiranë, turistët mund të provojnë edhe fërgesën, një gatim tradicional me speca, domate dhe gjizë.
Ndërsa udhëtimi afrohet drejt Rivierës, kuzhina ndryshon dhe vendin kryesor e zënë peshku i freskët dhe prodhimet e detit.
Në lagunën e Butrintit, pranë Sarandës, kultivohen midhje të njohura në të gjithë Shqipërinë.
Në restorantet e zonës shërbehen gjithashtu kocë, levrek, kallamarë dhe prodhime të tjera të freskëta deti.
Në fund të një vakti tradicional, zakonisht nuk mungon një gotë raki, pija tradicionale shqiptare që shoqëron drekat, darkat dhe momentet shoqërore.
Një vend që të befason me kontrastet e tij
Ajo që e veçon Shqipërinë nga shumë destinacione të tjera mesdhetare është mundësia për të përjetuar një botë krejtësisht të ndryshme brenda pak ditësh.
Në vetëm një javë, turistët mund të kalojnë nga rrugicat me kalldrëm të Beratit dhe Gjirokastrës, ku historia duket sikur ka ndalur në kohë, drejt plazheve me ujëra të kristalta të detit Jon.
Kombinimi i trashëgimisë historike, natyrës, gastronomisë dhe bregdetit i jep Shqipërisë një karakter të veçantë.
Për shumë vizitorë, pikërisht ky kontrast është arsyeja pse vendi konsiderohet ende një nga zbulimet më interesante të Mesdheut.R

