REPORTAZH/ Pamje e dëshmi prekëse, Durrësi lëngon mes rrënojash!

schedule21:16 - 30 Nëntor, 2019

schedule 21:16 - 30 Nëntor, 2019

Rrënoja, kaos, dhimbje, por edhe heronj që shpëtojnë të mbijetuar. Është Durrësi në orët e vështira të këtij fundnëntori, pas termetit të së martës, me një nga goditjet më të forta sizmike që kanë ndodhur në Shqipëri. Një reportazh që sjell detaje nga rrënojat ku mbetën 51 viktima, vuajtjen e atyre që humbën familjarët si dhe përjetimet e zjarrfikësve heronj kur shpëtuan të mbijetuar, por edhe kur humbën familjarë të tyre.

Gazetarja Luljeta Progni sjell gjithçka nuk u pa në këto orë të vështira të këtij qyteti.

****
Kurrë më parë Durrësi nuk ka qënë më i lënduar se sot. Nën dheun e këtij qyteti lëngojnë shpirtra fëmijësh, djem, vajza, gra, burra e të moshuar, mbetur nën rrënojat që la pas tërmeti i 26 nëntorit. Është një ndër goditjet më të rënda sizmike që kanë ndodhur në Shqipëri.

Duhej të kishte shkuar në shkollë të martën në mëngjes, por nuk mundi, dhe fletoret e tij, të shkruara bukur, janë shpërndarë rrëmujshëm nëpër shkallët e shtëpisë së kthyer në gërmadhë.

Është shumë fatlum Besi Ceka, sepse i mbijetoi bashkë me gjithë familjen kësaj gjëme që u lëshua pa mëshirë në lagjen e kënetës. Gjyshi dhe prindërit e tij luftuan fort ndaj këtij masivi gërmadhash.

Besi, Bora, Sidriti janë fëmijët fatlumë të shtëpisë që u rrëzua nga tërmeti i të martës në mëngjes. Ata mbijetuan por tani jetojnë me traumën e madhe që pësuan në kalvarin e vështirë për të dalë nga këto rrënoja. Ata janë të lënduar edhe sepse pak metra më larg është shtëpia e kushërinjve të tyre, Emilio, Griselda, Amelia, Dionisa e Dionis, fëmijët e shtëpisë Lala, që u shua thuajse e gjitha si familje.

Janë të afërm të familjes Ceka, që gjendet pak metra larg tyre, shtëpia e shkatërruar e gjitha, por që për fat të mirë pa viktima.

Fëmijët e dy familjeve ndanë bashkë ditët e bukura nëpër oborret e këtyre shtëpive që janë sot rrënoja. Nëpër to u kënaqën me lojërat e fëmijërisë. Veçse, Emilio, Griselda, Amelia, Dionisa e Dionisi, nuk do të jenë kurrë më aty. Ata mbetën poshtë rrënojave të shtëpisë. Shpirtrat e tyre lenguan nën gërmadhë për 48 orë e mbi ta shfaqeshin kukulla, tesha, jastekë, krevatë por edhe djepi i binjakëve 2-vjeçarë, Dionisit e Dionisës.

Trupat e akullt të fëmijëve të familjes Lala u nxorën nga rrënojat. Ata u përcollën për në banesën e fundit, tetë veta të një vatre. Ramë Lala, 17 vjeç, është i vetmi i mbijetuar nga fatkeqësia. Ai mban pikërisht emrin e gjyshit.
Ecim pak për t’u drejtuar në qytet. Gjëmë e madhe në Lagjen 18. Janë shuar familje. Nën rrënojat e pallatit 6-katësh ka mbetur Klausi, bashkë me mamin Doloresin, me motrën Kristi, si dhe të atin, Eduard Reçi.
Atje nën shkatërrim mbeti edhe Esiela, 8-vjeçarja e bukur, përqafuar me mamin e saj Dienën, në atë skëterrë mbeti edhe gjyshe Roza.

Ka shumë bashkëmoshatarë të Besit, bashkë me prindër e gjyshe që lënguan deri në frymën e fundit nën rrënoja, në Durrës, Thumanë, Kënetë…

Heronjtë

Nëpër rrënoja zjarrëfikësit vazhduan punën deri dje. Ata kërkuan me shpresë deri në fund për të gjetur të mbijetuar. Ia dolën të shpëtojnë nga vdekja rreth 40 veta por prej andej nxorën pak më shumë se aq trupa të akullt, që nuk mundën të mbijetojnë.

Është beteja më e vështirë e tyre në gjithë përvojën si zjarrfikës.

Këta heronj punuan me përkushtim të vërtetë me jetën në fije të perit në çdo moment, duke marrë në sy rrezikun nga copat e betonit apo hekurit mbi kokat e tyre.

Me kolegët e tyre që erdhën nga Kosova pikësëpari, Greqia, Italia, Serbia, Franca, Rumania e shumë vënde të tjera, që iu gjendën pranë Shqipërisë në këto ditë të vështira.

Arben Cara është komandanti i skuadrës që shpëtoi nga rrënojat 25-vjeçarin Klajdi Qato. Është rasti më fatlum i kësaj katastrofe sepse pas 21 orë përpjekjesh e luftë me gërmadhat, Klajdi doli i padëmtuar prej andej. Kur Arben Cara bashkë me skuadrën e tij po luftonte për Klajdin, atje në Thumanë, shtatë familjarë të tij kishin dhënë shpirt poshtë shtëpisë të tyre të shkatërruar.

Padyshim, secili prej zjarrfikësve kishte shqetësimin e familjes së tij por beteja për të shpëtuar jetë nën rrënoja nuk iu la kohë, që të mendonin për këtë.

Jemi në ditën e dytë pas tërmetit. Efektivi e RENEA-s duke shpëtuar fëmijë në një kat të lartë pallati në Durrës.

Komandanti padyshim që ka shqetësimin për djalin e tij 2-vjeçar, që e thërret të vijë në shtëpi e t’i qëndrojë pranë, por nuk mundet të largohet nga detyra. E ka ndarë me ndjekësit e tij komunikimin emocional me birin aq të vogël.

“Miqte e mi vendosa ta ndaj me ju kete histori pasi u ndjeva shume i pafuqishem ne tragjedine e fundit kur degjoja pertej telefonit te qarat e djalit tim 2 vjecar, Semit i cili me therriste: Babi kam frike, hajde ke pija(shtepia), ka fantazma ne pi(shtëpi), etj, etj, me ate zerin e tij te pafajshem dhe me çiltersine e nje femije krejtsisht i pafajshem.Dhe pergjigjia ime dhe pse me gjysme zeri ishte;O dashuri o zemra ime nuk mund te vi sepse me duhet te ndihmoj disa femije te tjere, njerez te tjere qe jane ne veshtirsi e ndoshta fatkeqsisht me pak shprese per jeten e tyre”, shkruan në rrjetet sociale, komandanti i RENEA-s.

Ndërsa tronditjet e tokës prej tërmeteve vazhduan për dy ditë, zjarrëfikësit dhe forcat e tjera shqiptare të shpëtimit, punuan papushim… Tërhiqeshin vetëm në rastet kur toka dridhej fort. Për pak çaste largoheshin nga ato rrënoja të rrezikshme e trishtuese, për të marrë frymë a pirë pak ujë, e për t’iu kthyer sërish “luftës”.
Nëpër rrugët e qytetit mbretërontë llahtaria. Nën tmerrin e shkundjeve të forta që pasuan tërmetin e 26 nëntorit, njerëzit e çoroditur endeshin kuturu nëpër sheshet ku ishin mbledhur për t’i shpëtuar mureve të rrëzuara të shtëpive të tyre. Pas tërmetit mijëra qytetarë të Durrësit nisën të mblidhen nëpër çadra pranë statiumit.

Rënia e qytetit

Nëpër rrugë ka heshtje, frikë, llahtari….. Qyteti është goditur pamëshirë nga fatkeqësia e madhe e Natyrës. Dy ditët e tmerrshme pas goditjes së rëndë, shkaktuan kaos e panik të paprovuar kurrë më parë. Njerëzit ecin si hije nëpër rrugë, të frikësuar nga vdekja që e panë t’u vinte aq afër.

Durrësi duket vërtet i shkatërruar. Mund të thuhet pa frikë se qyteti ka rënë….. objektivi i kamerave tona fikson njëra pas tjetrës banesa të shkatërruara fund e krye…

Panorama është e frikshme…. pallate e shtëpi të kafshuara dhunshëm nga shkundja e tokës.

Janë me qindra ndërtesat e dëmtuara rëndë apo pak më lehtë, por ku nuk guxon të fusësh kokën.
Kanë humbur thuajse gjithçka materiale, por ndjehen fatlumë ata që kanë shpëtuar bashkë me fëmijët.

Të mbijetuarit

Shoku që kanë pësuar nga goditejt e tërmetit i shtyn të ikin larg, sa të mundin më larg. Kosova është e para derë e hapur për ta…

Do të mbetet gjatë në kujtesën e shqiptarëve karvani i makinave me ndihma e mjete shpëtimi, polici e ushtri, e gjithë Kosova në këmbë për të ndihmuar Shqipërinë, për të shpëtuar ç’të mundej. Ata ishin të parët që erdhën, e të parët që sollën qindra autobusë për të marrë familje nga Durrësi, Thumana a vende të tjera të rëna në tragjedi. Mijëra mesazhe falenderimi vijnë nëpër redaksitë tona, Nga Prishtina, Gjilani, Prizreni, Podujeva e shumë krahina të Kosovës, atje ku janë sistemuar qytetarë të zonave të goditura.

Ikën duke lënë pas qytetin bosh. Ikin bashkë me dhimbjen për jetët e humbura e llahtarinë që iu panë sytë. Rrugët e këtij qyteti kanë mbetur të shkreta, thuajse të braktisura./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!