Rënia e Euros, Sejko: Nuk kemi qenë në parametrat për të ndërhyrë

schedule17:28 - 28 Mars, 2018

schedule 17:28 - 28 Mars, 2018

Banka Qendrore pret që kursi i këmbimit valutor të stabilizohet gjatë ditëve në vijim. Gjatë konferencës për shtyp pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës, guvernatori Gent Sejko tha se nuk ka patur asnjë ndërhyrje në tregun valutor nga ana e Bankës së Shqipërisë dhe e gjithë lëvizja ka qënë në bazë të kërkesës e ofertës për këto monedha.

Banka e Shqipërisë nuk ka bërë asnjë ndërhyrje në treg për të stabilizuar kursin e këmbimit gjatë javës së fundit. Forcimi i papritur i lekut dhe rikthimi i tij në ekuilibër përballë monedhës euro dhe dollarit ka qënë në bazë të kërkesës dhe ofertës në treg. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko tha gjatë një konference për shtyp se Banka Qendrore bën ndërhyrje në treg nëse ka luhatje të mëdha, por jo në këtë rast.

Gent Sejko: “Për momentin, duhet thënë se kursi është ristabilizuar pas luhatjeve të tregut të javës së kaluar. Nuk parashikojmë që të ketë luhatje të tjera, por e theksoj dhe njëherë se kursi përcaktohet nga kërkesa dhe oferta të tregut. Ne nuk kemi objektiv të ndërhyjmë në kursin e këmbimit.”

Guvernatori njoftoi se Këshilli Mbikëqyrës nuk do të ndryshojë normën bazë të interesit të lekut deri në fund të këtij viti, ndërsa u bëri thirrje institucioneve që të intesifikojnë reformat strukturore për përmirësimin e klimës së biznesit dhe rritjen e konkurrueshmërisë.

Gent Sejko: “Në veçanti, këto reforma duhet të synojnë përmirësimin e klimës së biznesit, rritjen e eficiencës dhe të konkurrueshmërisë, si dhe zgjerimin e potencialit prodhues të vendit.”

Në analizën e sektorit bankar bordi i bankës qëndrore konstaton se kredia vijon të mbetet e shtrënguar dhe kërkon që bankat të nisin plotësimin e nevojës për financim në ekonominë vendase./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!