Renditja e UEFA-s: Kukësi në majë nga klubet e Superiores, edhe Laçi në podium

schedule09:37 - 21 Mars, 2021

schedule 09:37 - 21 Mars, 2021

UEFA ka përditësuar renditjen e klubeve, në bazë të koeficienteve, dhe nga klubet e Superiores Kukësi ka koeficientin më të lartë, gjashtë, dhe renditet në vendin e 194-t.

Verilindorët kaluan një tur në Europa League këtë verë, pasi mposhtën bullgarët e Slavia Sofia. Më pas shorti u rezervoi gjermanët e Wolfsburg dhe nuk kishte më histori. Pas Kukësit renditet Partizani, edhe pse vjet nuk arriti as të merrte pjesë në kupat e Europës.

Të kuqtë pozicionohen në vendin e 263-të, me koeficient 4.250, para Laçit dhe Skënderbeut. Kurbinasit në verë eliminuan Keshla dhe u ndalën më pas nga Hapoel Beer Sheva, duke e çuar koeficientin e tyre në katër, sa korçarët e përjashtuar nga UEFA.

Tirana grumbulloi më shumë pikë se të tjerët këtë verë, pasi shkoi deri në fazën play-off të Europa League. Bardheblutë gjithsesi kanë koeficient të ulët, 2.750, dhe renditen në vendin e 338-të, një pozicion më lart se Teuta që kaloi këtë verë turin e parë pasi mundi Beitar Jerusalem. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!