“Rëndësi ka fitorja e opozitës”, Meta koalicion me Berishën: Një kandidat të përbashkët

schedule13:56 - 27 Shtator, 2022

schedule 13:56 - 27 Shtator, 2022

Kryetari i Partisë së Lirisë ka përsëritur nevojën ulëritëse për protesta në vend. Në një konferencë për mediet, Meta theksoi se kudo ka shkelje të ligjit dhe të të drejtave të qytetarëve, si dhe vjedhje.

Ai ka lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit me Partinë Demokratike gjatë zgjedhjeve lokale të 2023, pasi e rëndësishme është fitorja e opozitës.

Meta: Vendi ka nevojë ulëritëse për greva dhe protesta kudo ku ka shkelje të ligjit dhe të të drejtave të qytetarëve tanë, kudo ku ka vjedhje. Ju e keni parë që edhe për meritë të vendimeve të papërgjegjshme të qeverisë përditë ka protesta dhe greva të fëmijëve, nxënësve, prindërve. Jeni njohur me vendimet absurde që s’kanë asnjë lidhje me kujdesin ndaj nxënësve dhe prindërve, siç janë aktet e fundit arbitrare të satra-qeverisë ku pasi ka filluar shkolla, kopshti në mënyrë arbitrare gjenden sebepe që nuk kanë lidhje me ligjin dhe cilësinë e edukimit për të bërë akte të tilla të cilat tregojnë edhe njëherë sesa e rëndësishme është e gjithë shoqëria të reagojë fort ndaj kësaj qeverie që sillet si një bandë dhe që është e gatshme t’u shkaktojë trauma edhe fëmijëve. Edhe aktet e gjykatës dje janë tërësisht të paligjshme dhe tregojnë një kapje nga ana e Qeverisë. Këto veprime të papërgjegjshme do ti paguajnë shqiptarët, pasi janë procese që kushdo mund ti fitojë shumë thjeshtë.

Do dilni bashkë në zgjedhjet lokale?

Meta: Ne kemi nisur përgatitjet për këto zgjedhje dhe shumë shpejt do të mbledhim edhe komitetin organizator të Partisë së Lirisë. Kemi ambicie shumë të forta për zgjedhjet që po afrojnë. Këto zgjedhje do të rivendosin edhe demokracinë vendore dhe llogaridhënien. Këto katër vite të një keqqeverisje totale kanë qenë të mjaftueshme për ti dhënë asaj ndëshkimin e merituar. Objektivi ynë kryesor është fitorja e opozitës, pavarësisht se çdo forcë politike ka ambiciet e saj. Ne jemi të hapur për të bashkëpunuar me PD dhe faktorët e tjerë opozitarë që të mbështeten kandidatët më të mirë.

/abcnews.al/