Rekrutonte luftëtarë dhe siguronte armë për ISIS, shpallet fajtor shqiptari në SHBA

schedule17:29 - 26 Maj, 2022

schedule 17:29 - 26 Maj, 2022

Një gjykatë federale në Brooklyn e shpalli fajtor Mirsad Kandiçin, 40 vjecar, për pjesëmarrje në grupin Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë (ISIS), rekrutimin e luftëtarëve për ISIS-in dhe sigurimin e armëve, pajisjeve dhe kryerjen e shërbimeve të zbulimit për grupin terrorist.

I lindur në qytetin e Pejës në Kosovë, Mirsad Kandiç kishte emigruar në Shtetet e Bashkuara dhe kishte leje qëndrimi. Ai mund të dënohet me burgim të përjetshëm kur të shpallet vendimi në muajin nëntor të këtij viti.

Sipas dokumenteve dhe provave të paraqitura në gjykatë, Mirsad Kandiç, kishte shumë përgjegjësi brenda organizatës terroriste globale, ISIS, përfshirë rekrutimin e luftëtarëve të huaj, trafikimin e tyre nga perëndimi përmes Turqisë në Siri, dhe sigurimin e armëve, pajisjeve ushtarake, hartave, parave dhe identiteteve të rreme për luftëtarët e ISIS-it.

“Në kryerjen e këtyre përgjegjësive, i pandehuri ka punuar drejtpërdrejt me emirët e ISIS-it dhe komandantët në terren, përfshirë Bajro Ikanoviçin, i cili komandonte një kamp trajnimi të ISIS-it në Siri duke filluar në ose rreth vitit 2014. Bajro Ikanoviç, nga ana tjetër, i raportonte Omar Shishanit, atëherë komandant i lartë ushtarak për ISIS-in dhe një këshilltar i rëndësishëm i Abu Bakr al-Baghdadi, i cili ishte, në atë kohë, udhëheqës i ISIS-it dhe kalif i vetëshpallur i Shtetit Islamik”, thuhet në një njoftim të Departamentit amerikan të Drejtësisë.

Sipas rrëfimeve të 36 dëshmitarëve dhe provave të paraqitura në gjykatë Mirsad Kandiç kishte provuar të largohej nga Shtetet e Bashkuara për në Lindjen e Mesme që në verën e viti 2012. Por, meqë dy herë radhazi nuk ishte lejuar të fluturonte atëherë nga fundi i vitit 2013 kishte udhëtuar për në Meksikë dhe prej andej për në Panama, Brazil, Portugali, Gjermani, Kosovë dhe Turqi për të arritur me në fund në Siri, ku u ishte bashkuar luftimeve të ISIS-it në periferi të Aleppos.

Udhëheqja e ISIS-it më pas e kishte dërguar Mirsad Kandiçin në Turqi për të marrë rolin e kontrabanduesit të luftëtarëve dhe armëve dhe për të shërbyer si emir për mediat e grupit.

Zyrtarët thonë se Mirsad Kandiç është përgjegjës për rekrutimin e mijëra perëndimorëve për të luftuar në Siri dhe Lindjen e Mesme, përfshirë edhe adoleshentin australian Jake Bilardi, një sulmues vetëvrasës që hodhi vetën në erë dhe vrau më shumë se 30 ushtarë irakianë dhe një polic në Ramadi të Irakut më 11 mars të vitit 2015.

Mirsad Kandiç, është arrestuar në gusht të vitit 2017 në Sarajevë, kryeqytetin e Bosnjës, ku sipas agjencive të sigurisë kishte hyre më një pasaportë të falsifikuar ukrainase.

Grupi ISIS numëronte dikur rreth 40 mijë luftëtarë të huaj, nga të cilët rreth një mijë nga rajoni i Ballkanit Perëndimor. /VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!