Transporti ajror ka shënuar rekord në tremujorin e dytë të vitit. Mbi 3.8 milionë pasagjerë kanë udhëtuar me linja ajrore në periudhën prill qershor sipas INSTAT, duke regjistruar një rritje me 26.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Statistikat flasin për rritje të fortë edhe të numrit të fluturimeve gjatë këtij tremujori, me mbi 23.2 mijë, dyfish më shumë se prill qershor i vitit të kaluar.
Ndërkohë, është zgjeruar edhe numri i shoqërive ajrore të huaja në 33, nga 21 që operonin në tremujorin e parë të nxitura edhe nga kërkesa e lartë për udhëtime.
Shifrat në rritje të udhëtarëve përmes transportit ajror konfirmojnë edhe ecurinë pozitive të turizmit si dhe konsolidimin e pozicionit të aeroportit ndërkombëtar të Tiranës si një nga aeroportet me rritjen më të shpejtë në Europë.
Edhe portet detare kanë përpunuar një shifër të lartë të pasagjerëve me mbi 336 mijë persona, 5 400 më shumë se kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë. Mbi 60% e tyre kanë udhëtuar përmes portit të Sarandës, ndjekur nga porti i Durrësit me rreth 35% dhe më pas porti i Vlorës.
Krahas lëvizjes së pasagjerëve, është rritur edhe volumi i mallrave përmes rrugëve detare pasi në portet shqiptare u përpunuan 2.4 milionë ton mallra, duke parë një zgjerim me 9% në raport me një vit më parë.
Peshën më të madhe e mban Porti i Durrësit, ku volumi i mallrave shënoi një rritje të ndjeshme me 9.9% krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të shkuar.



