Rehabilitohet blloku i banimit në Selitë

schedule14:07 - 17 Gusht, 2018

schedule 14:07 - 17 Gusht, 2018

Ka ardhur koha që të gjithë të sillen si qytetarët të Tiranës. Kështu deklaroi kryetari i Bashkisë Erion Veliaj duke i kërkuar banorëve të kryeqytetit të deklarojnë vendbanimin e vërtetë.

 

-Qytetarët duhet të regjistrojnë adresën e saktë të vendbanimit. Kjo është një mënyrë që çdo zonë e Tiranës të përfitojë nga shpërndarja më e mirë e fondeve dhe e investimeve. Kjo është thirrja që kryebashkiaku Erion Veliaj bëri nga zona e Selitës.

“I ftoj banorët të vijojnë me regjistrimin në zonë. Sot janë të gjithë qytetarë të Tiranës dhe duhet të regjistrohen këtu. Fakti që marrim taksa nga pjesa e vjetër e Njësisë 5 për t’i sjellë në zona ku vetëm së fundi, pas legalizimit, ka filluar të paguhet pak taksë prone, do të thotë se automatikisht Bashkia e Tiranës i ka privilegjuar. Tani ka ardhur koha që edhe ata të sillen si qytetarë të Tiranës dhe të bëhen pjesë e kësaj bashkësie që paguan diçka modeste, por në fund fare kontribuon në të mirën e përbashkët”.

Këto fjalë kryetari i Bashkisë së Tiranës i drejtoi nga një prej blloqeve të banimit ku sapo kanë përfunduar punimet për rikonstruksionin e saj.

“Rikthehemi në një zonë totalisht të transformuar. Këtu projekti nuk është vetëm logjistik: asfalt, llaç e tulla, por edhe pak në mentalitet.
Kemi bashkuar energjitë: qeveria bën legalizimin, kurse bashkia urbanizimin. Pa legalizim nuk ka urbanizim; pra, është shumë e rëndësishme që fillimisht banorët të marrin hipotekën dhe në fund, pasi të kanë marrë pronën, ne ndërhyjmë në gjithë rrjetin rrugor, kanalizime dhe ndriçim”.

Teksa u bëri apel banorëve të bllokut të mirëmbajnë investimin e kryer, kryebashkiaku ftoi qytetarët që të bashkëpunojnë për lirimin e hapësirave, të cilat pengojnë projektet zhvilluese.

“Dua të falenderoj, së pari banorët që kanë lënë pak nga territori i tyre i sapolegalizuar për t’ia dhënë bashkisë për trotuaret. Qytetarët duhet të kuptojnë se në fakt trotuari nuk është i bashkisë, por një barrierë sigurie për ata dhe fëmijët e tyre. Kur kemi ardhur këtu ka qenë një monopat i ngjashëm me një shteg dhish dhe rrëketë e lumenjve që vinin nga kodrat. Sot është dita me natën”.

Veliaj bëri të ditur se nga 17 shkolla të reja që do të ndërtohen, 3 prej tyre janë vetëm për Njësinë 5, duke sjellë një rritje të standardit dhe të cilësisë së mësimdhënies për fëmijët e zonës.

Ndërsa për Ministrinë për Diasporën dhe njëkohësisht deputetin e zonës, Pandeli Majko tashmë e gjithë zona është transformuar tërësisht.
Ndërhyrja është kryer jo vetëm në shtrimin me asfalt të rrugës, por edhe me rrjetin e ri të ujësjellës-kanalizimeve, ndriçim, trotuare, ndërkohë që muret janë të veshura me pllaka dekorative guri dhe kangjella./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!