Marko Molla do të merrte një vendim shumë të rëndësishëm për të ardhmen e tij, teksa para dy vitesh do të vendoste përfundimisht të përfaqësonte Kombëtaren Shqiptare.
Gardiani shqiptar do të pranonte ftesën e Edi Rejës për të veshur fanellën kuqezi dhe të linte përfundimisht atë të Italisë, pasi më parë kishte luajtur për kombëtaren italiane të U-17.
Por më pas ai kaloi edhe te U21 e Shqipërisë duke luajtur ndeshjet me Anglinë dhe me Andorrën. Por vetëm kaq, pasi që nga qershori i vitit të kaluar ai nuk grumbullohet më as me kuqezinjtë e vegjël.
Mbi këtë situatë ka reaguar në rrjetet sociale duke sqaruat të gjithë çështjen, ndërsa ka theksuar se për kombëtaren shqiptare i tha “lamtumirë” asaj italiane, dhe se për ngjyrat kuqezi do të jepte dhe shpirtin në fushën e lojës.
“Kam dëgjuar shumë zëra për faktin që nuk dua të bëhem pjesë e kombëtares U-21 shqiptare, por nuk është kështu. Kam bërë një zgjedhje të rëndësishme bashkë me familjen time, atë të lija kombëtaren italiane për atë shqiptare. Për mua është një nder të jem pjesë e një kombëtareje të rëndësishme për mua dhe për familjen time. Dua të jap gjithë shpirtin për këto ngjyra dhe për këtë flamur”, shkruan portieri shqiptar në postimin e tij.

/f.a/abcnews.al



