Nisja e sesionit të ri Parlamentar për Partinë Demokratike nuk ka asnjë pritshmëri për aq kohë sa institucioni cilësohet ilegjitim. Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho në një intervistë për ABC NEWS sqaron se angazhimi i vetëm për opozitën do të jetë Reforma Zgjedhore.
“Në përputhje me marrëveshjen që u nënshkrua pak kohë më parë do të japim kontributin tonë. Është e vetmja çështje në të cilën opozita është e angazhuar në nëntë çështjet që ka vendosur Bundestagu si kushte për të hapur negociatat. Do ta japim këtë kontribut. Më pas duhet që Reforma Zgjedhore të zbatohet, që do të thotë se duhet të ketë zgjedhje të parakohshme të përgjithshme, mundësisht së bashku me ato vendore në të njëjtën ditë”, shprehet Spaho.
Ndonëse janë pjesë e të njëjtën tryeze, demokratët i druhen lojërave politike të maxhorancës dhe paralajmërojnë se nëse do të ketë tentativa për zvarritje opozita do të dalë në rrugë.
“Nëse mazhoranca do të fillojë të rihyjë në lojën e zvarritjeve, pasi në fund të 2019 e zvarriti procesin e Reformës Zgjedhore, ne do të shikojmë opsionet tona dhe të jeni të bindur se protestat do të jenë mjeti më i sigurtë për t’ju përgjigjur atyre në përpjekjet që do bëjnë për të zvarritur procesin e përfundimit të Reformës Zgjedhore”, deklaron ai.
Kur drafti i reformës do të jetë përmbyllur, Spaho flet për pritshmëri reale të opozitës për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme.
“Zgjedhjet e parakohshme janë i vetmi mjet për të kapërcyer krizën e thellë dhe e vetmja rrugë do të ishte një qeverisje e re që të marrë përgjegjësitë për të adresuar të gjithë këto probleme. Ne nuk kemi hequr dorë nga kërkesa për një qeveri tranzitore pa Edi Ramën kryeministër”, shprehet Spaho.
Në tryezën e reformës, PD do të paraqesë edhe propozimin që një qeveri kujdestare të jetë ajo që të administrojë vendin përpara çdo procesi zgjedhor.
“Deri sa vendi të anëtarësohet në BE, 2-3 muaj përpara zgjedhjeve të krijohet një qeveri kujdestare, e cila t’ju sigurojë palëve asnjëanësinë dhe zgjedhje me kredibilitet”, thotë Spaho.
Krahas angazhimit të saj për Reformën Zgjedhore, Partia Demokratike do të vijojë betejën e saj publike dhe ligjore me denoncimin e kryebashkiakëve socialistë me të kaluar kriminale./abcnews.al