Sipas Nanos, kryeministri Rama ka kompromentuar reformën në drejtësi. Gjatë një bisede me analistin Baton Haxhiu në emisionin “Provokacija”, ai deklaroi se e ka mbështetur fuqishëm reformën, por nuk e kupton se pse reforma duhet të frikësojë Berishën dhe jo socialistët.
“Reforma në Drejtësi nuk e di nëse është iniciuar nga ai, apo ndoshta e kanë iniciuar ndërkombëtarët, por është mbështetur fuqishëm nga ai. Mirëpo ky e ka kompromentuar dhe reformën që unë e kam mbështetur reformën në drejtësi në ndryshim nga shumë kolegë të mi. Unë kur dëgjoj Ramën që thotë se reforma do bëhet dhe këta që protestojnë kanë frikë nga reforma, unë mendoj që ky e komprometon reformën. Reforma duhet të jetë e besueshme. Unë s’e kuptoj pse reforma duhet të frikësojë Berishën dhe pse nuk duhet të frikësojë ndonjë socialist”, tha Nano.
Mirëpo Baton Haxhiu deklaroi se nga reforma në drejtësi do të gjykohen edhe socialistët.
“Unë e kam një bindje që sa gjykoj me informacionet që kam, por që nuk do të kursehen as socialistët. Njerëzit që do presin në vrimën e miut nuk do të jenë të paktë. Besoni se ka ardhur fundi që njerëzit janë të lodhur dhe presioni publik nuk e duron këtë kastë politikanësh, nuk e duron. Prandaj nuk i kuptoj kolegë të mi që me mënyrën se si e trajtojnë Ramën dëshirojnë të riciklojnë një gjeneratë politike që është dashur moti të vdesë në kuptimin politikisht”, tha Haxhiu.
Ndër të tjera, Haxhiu deklaroi se Rama e ka të vështirë që të drejtojë me dy liderë, të cilët sipas tij kanë instaluar të keqen në vend.
“Është shumë vështirë të jesh një kryeministër me dy liderë që për një kohë të gjatë e kanë instaluar të keqen, pastaj kanë instaluar nepotizmin, kanë instaluar korrupsionin, jo krejt me fajin e tyre natyrisht, por me pafuqinë e tyre që ta ndryshojë Shqipërinë. Rama ka bërë disa beteja. Ka bërë betejën e Tiranës, betejën e PS-së për të ndryshuar strukturën, betejën me Berishën, betejën me Ilir Metën, ka bërë betejën me Shqipërinë ku është krijuar një realitet 30-vjeçar. Unë gjatë kësaj etape trashëgon edhe njerëz që janë kriminelë, gjysmë kriminelë, që janë instaluar një kohë të gjatë në administratë dhe ajo është një betejë me njeriun”, u shpreh analisti./abcnews.al