Në një reagim në rrjetet sociale kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me nxjerrjen nga kampi i “Al hol” i vogëlushit që mbahej peng prej vitesh në këtë kamp, Alvin Berisha.
Kryeministri shkruan se pas një jave pune nga skuadra speciale e policisë shqiptare në bashkëpunim me autoritetet italiane kanë bërë të mundur nxjerrjen e vogëlushit nga ky kamp.
Më tej Rama shkruan se ministri i brendshëm Sandër Lleshaj, në foton që shihni, është duke përcjellë vogëlushin drejt ambasadës italine në Bejrut, aty ku vogëlushi shqiptar do të pajiset me dokumentat e nevojshme për të udhëtuar drejt italisë.
Rama gjithashtu thekson se përpjekja për të nxjerrë fëmijët dhe gratë shqiptare nga ky kamp do të vazhdojnë.
“ALVINI PO KTHEHET NË SHTËPI”
• Pas një jave në kufirin sirian, së bashku me një skuadër speciale të policisë sonë dhe në bashkëpunim të ngushtë me partnerët italianë, ministri ynë i brendshëm po përcjell në këtë moment Alvinin në ambasadën italiane në Beirut, prej ku vogëlushi shqiptar do të pajiset me dokumentat e nevojshme e do të fluturojë drejt babait në Romë
• Një falenderim i veçantë për kryeministrin Giuseppe Conte, i cili u angazhua personalisht në ndjekjen e operacionit për palën italiane
• Faleminderit edhe dy organizatave humanitare që u bënë pjesë jetike e këtij operacioni tejet kompleks e të rrezikshëm, pa harruar konsullin e nderit të Shqipërisë në Liban, që luajti një rol të pazëvendësueshëm
• Por për ne, përpjekja nuk mbyllet këtu, sepse fëmijë e gra nga Shqipëria vazhdojnë të jenë peng në kampin-burg prej ku arritëm të nxjerrim Alvinin…”, shkruan Rama./abcnews.al