Reagon Franca: Nuk kemi vendosur kurrë në dyshim angazhimin e Italisë

schedule17:26 - 13 Qershor, 2018

schedule 17:26 - 13 Qershor, 2018

Qeveria franceze ka reaguar lidhur me tensionin e regjistruar së fundmi me Romën, sa i përket menaxhimit të emigrantëve. Parisi thotë se nuk është vendosur asnjëherë në dyshim angazhimi i Italisë. Kancelarja Merkel ka kërkuar nga BE, që Italia të mos lihet vetëm.

Tensionet e fundit lidhur me çështjen e emigrantëve po rrezikojnë samitin mes presidentit të Francës, Emmanuel Macron dhe kryeministrit italian, Giuseppe Conte, që do të zhvillohet të premten. Kjo pasiguri lidhur me takimin vjen pasi Parisi e cilësoi “cinike dhe të papërgjegjëshme” menaxhinimin e Romës për rastin “Aquarius”.

Franca duket se e ka kuptuar gabimin dhe ka tentuar të ulë tonet. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Parisit është përgjigjur për zhvillimet e fundit duke thënë:

“Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm për barrën që ka presioni migrator në Itali dhe përpjekjet e këtij vendi. Asnjë nga fjalët e folura nga autoritetet franceze nuk ka vënë në dyshim gjithë këtë, as nevojën për t’u koordinuar ngushtë midis evropianëve”.

Për hipotezën e anullimit të samitit, autoritetet e pallatit Elize njoftojnë se presidenti Macron ka ftuar kryeministrin italian të premten në Paris në kuadër të dialogut mes vendeve. Në këtë takim, do të punohet për përgatitjen e Këshillit Europian të Qershorit.

Për çështjen e emigrantëve ka reaguar edhe qeveria gjermane e drejtuar nga Angela Merkel, që i bën thirrje BE-së që të mos lëjë Italinë vetëm në menaxhimin e krizave të kësaj natyre.

“Ne jemi për një zgjidhje të unitetit europian lidhur me çështjen e emigrantëve”, u shpreh zëdhënësi i Merkel, Steffen Seibert duke nënvizuar se Roma është një partner i rëndësishëm për Berlinin./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!