Reagimi i Luftëtarit, Halilaj: Ju tregoj dy dyshimet e mia, çështja Rapo në UEFA

schedule09:14 - 11 Janar, 2020

schedule 09:14 - 11 Janar, 2020

Vijojnë akuzat mes Luftëtarit dhe Laçit. Në mes është Donaldo Rapo, i cili pretendon 8 rroga dhe 3 muaj pagesë qiraje. Mesfushori po stërvitet me Laçin këto ditë, por thekson se nuk ka firmosur kontratë me ekipin kurbinas.

Si mund të firmos një kontratë tjetër, kur unë i di shumë mirë rregullat që kur një futbollist është nën kontratë nuk mund të firmosë një kontratë të re?! Sipas meje kjo deklaratë e dhënë sot për shtyp qenka si një luftë e hapur mes meje edhe presidentit të Luftëtarit, i cili mua më ka 8 rroga pa paguar plus qiraja e shtëpisë që është 3 muaj pa paguar. 

Nuk e kuptoj kush e ka gënjyer z. Halilaj që unë nuk kam bërë padinë në federatë për prishjen e kontratës?! Kërkesën e kam bërë në datën 20 dhjetor, për dijeni të klubit dhe FSHF, nëpërmjet avokatit tim.

Presidenti ka kërkuar në Federatë që unë si futbollist të fal të gjitha lekët që më ka dhe të marr lejen e kalimit. Në muajin gusht unë kam hapur një gjyq për pagat e prapambetura, por më premtoi që me datë 30 Nëntor unë do i merrja pagat e prapambetura, si dhe rashë dakord për uljen e pagës time mujore, me idenë që do merrja lekët e prapambetura. Kështu që u detyrova të hiqja dorë nga gjyqi“, komentoi Rapo në rrjetet sociale, ndërsa më parë kishte reaguar edhe klubi kurbinas.

Së pari, lojtari në fjalë nuk ka asnjë marrëveshje me Klubin e Futbollit Laçi. Është e vërtetë që ai prej disa ditësh ka kërkuar te stërvitet me ekipin tonë, por nuk ka nënshkruar asnjë kontratë me ne.

Klubi Futbollit Laçi ka treguar ndër vite që jo vetëm është korrekt ndaj futbollistëve, Federatës dhe shtetit, por edhe karshi rivalëve. Donald Rapo ka gjetur dashamirësinë tonë dhe po stërvitet që të mos mbetet prapa me përgatitjet.

Personit të ashtuquajtur president i bëjmë me dije se një person që e quan veten president klubi, minimalisht duhet t’i përgjigjet punonjësve te tij me zbatimin e përpiktë te kontratës , pasi në të kundërtën do të ishte në një rang me ta dhe jo eprori i tyre.

Luftëtari dhe çdo klub tjetër minimalisht duhet të respektojnë kushtet kontraktuale me çdo futbollist. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë kjo është një shkelje dhe një garë e pabarabartë që FSHF dhe organet e saj duhet të kujdesen që kjo të mos ndodhë”, lexohet në komunikatën e Laçit.

Sot ka ardhur edhe reagimi i presidentit të bluzinjve. Në një prononcim për Panorama Sport, Bekim Halilaj tregon versionin e tij dhe tregon se çështja do të përfundojë në UEFA dhe FIFA.

Prisja që klubi i Laçit të respektonte ‘Fair-Play’-n dhe rregulloren e FSHF-së, por ndodhi më absurdja. Tani Laçi na mëson ne se si të sillemi me lojtarin? Nëse e paguaj unë apo jo lojtarin, ka organe kompetente në FSHF, FIFA dhe UEFA që na ndëshkojnë ne apo cilindo që është fajtor. Laçi ka filluar marrëveshjen me Rapon që në ndeshjen e parë që është luajtur në Gjirokastër. Gara respektohet duke respektuar rregulloren e Federatës. Unë flas me dokumente dhe fakte. Kush është ai që më thotë mua ‘paguaj lojtarët’? Nuk dua të paguaj…

Lojtarin nuk e ka përzënë njeri nga klubi që i paska ardhur keq Laçit dhe i ka dhënë mundësinë të stërvitet. Mos na u hiqni si humanë, por respektoni rregulloren. Deri në këtë moment që flasim (e premte, ora 18:00) nga ana e FSHF-së nuk kemi asnjë njoftim për padi në DHZK të Rapos. S’ka ardhur asnjë lajmërim për gjyq.

FSHF na ka njoftuar këto ditë për një tjetër lojtar, por jo për Rapon. Ky i fundit ka bërë vetëm një lajmërim me shkresë në klub me  16 dhjetor se kërkon të largohet, por më pas nuk ka ardhur asnjëherë të diskutojë për kontratën. E kemi njoftuar me shkrim sipas rregullores, por ai është larguar në mënyrë të paligjshme. Nëse FSHF është shprehur se ka çështje për gjykim dhe nuk na lajmëron ne si klub, atëherë është problem i Federatës.

Të hënën do t’i drejtohemi UEFAS-s dhe FIFA-s për këtë skandal. Garën e cenon Laçi dhe jo unë. Çfarë tagri ka Laçi të më japë mua urdhra dhe të më bëjë moral? Mos ndoshta përfaqëson Dhomën e e Zgjidhjes së Konflikteve. Reagimi i tyre konfirmon fjalët që presidenti i tyre ka hapur lart e poshtë: ‘Unë do ta zgjidh çështjen e Rapos me njerëzit e mi që kam në FSHF’. Tani po del fjala e tij dhe mesa duket, Laçi përfaqëson FSHF-në. Çfarë u duhet atyre të përfshijnë në stërvitje lojtarin, i cili është në kontratë me ne.

Me 14 dhjetor, kur luajtëm në Laç, duke qenë se Rapo e kishte mbyllur marrëveshjen më përpara me klubin laçian, familjarët e lojtarit janë pritur nga drejtuesit vendas në pjesën e tribunës VIP të stadiumit. Ata nuk janë futur me listën tone si klub mik, por si të ishin vendas, bashkë më makinën e tyre personale brenda stadiumit.

Marrëveshja ka qenë e kopsitur mes palëve, është bërë me kohë. Dyshimin e parë e kam në ndeshjen e luajtur në Gjirokastër me Laçin, ku në fund gabimin e bëri Rapo, edhe pse ishte ai që shënoi për ne. Dyshimi i dytë është me 14 dhjetor me familjarët e tij. Vetëm dy ditë pas kësaj ndeshje, ndodh që Rapo bën paralajmërimin për pagesat, ndërsa me 22 dhjetor braktis ekipin. Pas lajmërimit që bëri, unë si klub kam 15 ditë kohë për të sqaruar lojtarin, por ai nuk erdhi.

Kur ankohesh, pse nuk vjen të sqarohesh me mua? Të gjitha veprimet tona janë në zyrën e juristit të FSHF-së, të dokumentuara, bashkë me gjobat që lojtari ka marrë për mosparaqitje në stërvitje dhe braktisje të ekipit. Kjo çështje do të shkojë në UEFA”, përfundon Bekim Halilaj, presidenti i Luftëtarit. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!