Reagimet e opozitës një ditë pas protestës

schedule14:09 - 14 Prill, 2019

schedule 14:09 - 14 Prill, 2019

Kanë zgjedhur rrjetet sociale opozitarët për të dhënë reagimet e tyre një ditë pas protestës kombëtare 13 Prillit.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka përsëritur mesazhin e tij se nuk ka kompromis me ëndrrën “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”.  Nëpërmjet një postimi në Twitter, kryedemokrati nënvizon kërkesën për zgjedhje të lira, drejtësi dhe ekonomi të lirë.

“Ky është fundi i qeverisë-bandë të kapur duke vjedhur zgjedhjet me kriminelët, kërcënimi nr.1 për demokracinë, sigurinë, mirëqenien”, shkruan Lulzim Basha në statusin e tij në rrjetet sociale.

Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka akuzuar ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj se ka sajuar skenarë me djegie makinash false e policë “të dhunuar” për të mbuluar frikën e shefit të tij të vetmuar.

“Pas grabitjes në Rinas, djegia e makinës false dhe policë “të dhunuar” është “suksesi” i dytë i Llesh Kimikut në 3 ditë”, shkruan sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike sipas të cilit sot opozita është shumicë morale dhe politike. “Nuk ka kthim pas”, e përfundon reagimin e tij Gazment Bardhi në rrjetin social Twitter.

Një tjetër denoncim po në rrjetet sociale u bë nga ish deputeti Bardh Spahia. Nëpërmjet një videoje, ai tregon se si një 26-vjeçar që mori pjesë në protestën e opozitës qëndron i lidhur me pranga në krevatin e spitalit.

Për ish-deputetin Spahia, policia është kthyer në vegël qorre të një regjimi të shkërmoqur tashmë.

“Protestuesi ka kontuzione, edema dhe hematoma të shkaktuar nga dhuna e njerëzve të veshur me uniformë”, shkruan Bardh Spahia sipas të cilit është e pa logjikshme mbajtja me pranga ndërkohë që është i rrethuar edhe nga policë në ambientet e spitalit./abcnews.al