Reagime të shumta pas dorëheqjes së Haradinajt

schedule22:15 - 19 Korrik, 2019

schedule 22:15 - 19 Korrik, 2019

Reagime të shumta ka pasur në Kosovë pas dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj e cila i ka zënë të gjithë në befasi. Presidenti Hashim Thaçi ka shprehur keqardhje për ftesat që i janë bërë nga specialja kryeministrit Haradinaj dhe disa ish eprorëve të UÇK-së.

Mediat ishin ato përmes së cilave presidenti Hashim Thaçi ka mësuar për dorëheqjen e Kryeministrit Ramush Haradinaj. Thaçi ka thënë se do të veprojë në bazë të kompetencave të tij kushtetuese për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, ndërsa ka shprehur keqardhje për ftesat që Gjykata Speciale u ka dërguar disa ish eprorëve të UCK-së.

“Me keqardhje mësova që Gjykata Speciale ka ftuar për intervistim ish-shefin e Shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi, njëherësh këshilltar i imi, ish-komandantin e Zonës Operative të Dukagjinit, kryeministrin Ramush Haradinaj, si dhe disa ish-eprorë të tjerë të UÇK-së”, ka thënë Thaçi.

Ndërsa Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se LDK në vazhdimësi ka kërkuar që kjo qeveri të japë dorëheqje, por ndjen keqardhje që kjo po ndodhë për shkak të Dhomave të Specializuara.

Për kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurti, dorëheqja e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit është e vonuar, por me arsye të gabuar. Ne ishim e jemi kundër Gjykatës Speciale. Kemi nevojë për gjykata normale kundër krimit e korrupsionit në paqe dhe jo për edhe një gjykatë speciale kundër kinse krimeve të luftës së UÇK-së. Ata që e votuan, e vunë veten e tyre dhe gjithë Kosovën nën shantazhin e interesave gjeopolitike jashtë kontrollit tone thuhet në reagimin e Kurtit.

Raporti. Blerta Dalloshi Berisha
Kamera. Visar Kryeziu

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!