Kryeministri Edi Rama përsëriti edhe njëherë nevojën për shtim të forcave të NATO-s në Kosovë. Në një konferencë për shtyp në Shkup, ku i pranishëm ishte edhe kreu i NATO-s, Jens Stoltenberg, Rama theksoi se rasti i Banjskës nxori në pah rrezikun e lartë për destabilizim dhe përshkallëzim të konfliktit.
“Duhet me çdo kusht të mos përsëritet. Për këtë arsye theksova edhe sot në takim domosdoshmërinë e rritjes së numrit të forcave të NATO-s në Kosovë dhe domosdoshmërinë për të garantuar kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, i cili faktikisht është jashtë kontrollit dhe i cili është në shërbim të aktiviteteve ilegale të trafikut të armëve, të drogës.
Aktivitete, të cilat pastaj ngatërrohen siç e dimë të gjithë edhe me aktivitetin politik me sfond ultra nacionalist që shkakton devijime të rënda si ai i Banjskës, ku humbi jetën një punonjës i policisë së Kosovës dhe ku qartësisht doli në pah rrezikshmëria e lartë për destabilizim dhe përshkallëzim të një konflikti që ka vetëm një vend për t’u trajtuar në tryezën e dialogut të ndërmjetësuar në BE mes Kosovës dhe Serbisë.”, theksoi kryeministri Rama./abcnews.al