Raportimi i së vërtetës/ Christoph Plate flet për ABC News: Roli i medias për paqe, kundër luftënxitjes

schedule17:35 - 1 Dhjetor, 2023

schedule 17:35 - 1 Dhjetor, 2023

Zyrtari i lartë i Programit Mediatik të Fondacionit Konrad-Adenauer-Stiftung për Evropën Juglindore, Christoph Plate, ka dhënë një intervistë në “Ballkan Update” për  gazetaren Linda Karadaku. Ai ka folur për rolin e medias në paqe, duke theksuar se çfarë mund të bëjnë njerëzit dhe jo vetëm gazetarët, për të dhënë kontributin e tyre.

Salaq, Plate është ndalur dhe te problematika e mediave në rajon, të cilat raportojnë në bazë të përkatësisë etnike.

Intervista e plotë:

Roli i medias është shumë i rëndësishëm, në paqe dhe në luftë. Çfarë mund të bëjë media? A mund të kontribuojë për paqen?

Christoph Plate: Së pari, unë mendoj se gjithmonë e kemi pasur këtë konflikt në dekadën e kaluar. Ne kemi pasur shpërbërjen e ish-Jugosllavisë me shumë gjakderdhje dhe shumë luftime që ndodhën, me shumë katastrofa lufte që ndodhën në Ruanda, Somali, Irak, copëtimin e Sirisë. Pra raportimi i krizave dhe luftërave ka qenë gjithmonë i rëndësishme, vetëm se tani është më afër nesh, Evropës. Sepse Izraeli është në qoshe, përtej detit Mesdhe. Dhe lufta e Rusisë kundër Ukrainës është shumë, shumë pranë dhe ne ndjejmë efektin e saj, si pasojë janë rritur çmimet e shportës dhe stabiliteti politik dhe i sigurisë. Mendoj se roli i medias duhet të jetë me këmbë në tokë, duke folur me popullin, duke komunikuar me njerëzit e zakonshëm, duke përshkruar çfarë do të thotë kjo katastrofë për cdo person dhe mbi te gjitha duke i shpjeguar sfondin, cilat janë arsyet historike, cilat janë argumentet dhe cilat janë rrëfimet që po përdorën.

Çfarë mund të bëjnë njerëzit, jo vetëm gazetarët, për të dhënë kontributin e tyre për paqen?

Christoph Plate: Mendoj se së pari gazetaria duhet të sigurohet se nuk bëhet zëdhënësja e politikanëve që ndjekin një axhendë të caktuar. Dhe gazetaria ka për detyrë të përballet me politikanët, nëse ata përdorin gjuhë dhe argumente që i njohim prej 30 vitesh, dhe ne si qytetarë mund ta ndjejmë se asgjë nuk ka ndryshuar, por mendoj se njerëzit kanë ecur përpara, njerëzit kanë kuptuar se është e rëndësishme ta marrësh seriozisht fqinjin edhe pse ai mendon ndryshe apo beson ndryshe. Mendoj se kjo është një pikë e rëndësishme, që shoqëria civile dhe media duhet të punojnë së bashku të përballen me politikanët, nëse ata propagandojnë e promovojnë dhe gjuhën e urrejtjes. Që kjo është një gjë e së kaluarës dhe çdo person duhet të shikojë përpara dhe të dalin me zgjidhje dhe me koncepte për bërjen e paqes dhe stabilitetit e gjithë rajonit.

Mediat në rajon raportojnë në bazë të përkatësisë etnike. Sa problematike është kjo?

Christoph Plate: Unë kam mbërritur në rajon disa muaj më parë. Pra jam duke punuar mbi situatën dhe ndërlikimet e saj. Dhe kam punuar vitet e fundit në pjesë të ndryshme të kontinentit. Eksperienca ime më thotë se, specifikisht brezi i ri i gazetarisë, ka shumë shpresa, ata duan të lënë të shkuarën, armiqësitë pas vetes. Nëse nisin e bëhen bashkë këta njerëz, nëse ata krijojnë presion në media se nuk duan të raportojnë sipas linjave etnike por duan të kuptojnë më thellë shqetësimet e grupeve të tjera, mund të ketë shumë shpresë dhe mund të ketë të ardhme më të ndritur. Është një rrugë shumë e gjatë dhe mendoj se çdo gazetar duhet të pyesë veten nëse është vërtetë gazetaria ajo që iu mësua në shkollë, në rastet kur raporton vetëm njërën anë.

Sa e vërtetë është e vërteta? Si mund të bindesh sa çfarë po lexon apo po dëgjon nga njerëzit është e vërtetë? Cili është limiti i të thënit dhe raportimit të së vertetës?

Christoph Plate: Mendoj se çdo gazetar duhet ti përgjigjet vetvetes, se kur raporton të vërtetën ai përballet me presione dhe kritika, puna mund ti rrezikohet nëse raporton diçka që nuk pëlqehet nga drejtuesit. Por duke u përgjigjur vetes, mendoj se gazetaria dhe gazetaria serioze është të kërkosh për të vërtetën, dhe është të kërkosh tu japësh mundësinë të gjithë anëve të përfshira, duke nxjerrë pikëpamjet e tyre. Dhe ky është portretizimi më i mirë i mundshëm i situatës./abcnews.al