Raporti italian: Shqipëria, vend origjine i shumicës së marijuanës që trafikohet drejt Italisë

schedule14:27 - 12 Korrik, 2018

schedule 14:27 - 12 Korrik, 2018

Shqipëria është vendi i origjinës së shumicës së sasive të marijuanës që kanë si destinacion tregjet italiane dhe evropiane. Pohimi vjen nga Drejtoria Qendrore për Shërbimet e Antidrogës në Itali, e cila sapo ka nxjerrë “Raportin Vjetor” në lidhje me vitin 2017 të publikuar nga Zëri i Amerikës.

Shqetësimi më i madh i qeverisë italiane janë klanet në rritje të trafikantëve shqiptarë kultivojnë dhe trafikojnë kanabis.

Raporti vjetor për 2017-n të Drejtorisë Qendrore për Shërbimet e Antidrogës i cituar nga zëri i amerikës tregon se “Importet e marijuanës në Itali janë rritur ndjeshëm duke arritur në vitin 2017 në një rekord të konfiskimeve, mbi 90 ton nga rreth 41 tonë që ishin në vitin 2016”.

Nisur nga përmasat e trafikut, sipas raportit grupet e krimit shqiptar konkurrojnë me organizata të tjera kriminale për kontrollin e pjesëve të rrugëve të trafikimit që arrijnë në Itali, si dhe për menaxhimin e rrjeteve të shpërndarjes së drogës. Nga të dhënat e raportit shqiptarët zinin vendin e parë në rrjetet kriminale të huaja të narkotrafikut të përfshirë në trafikun e drogës me 25 nga 94 gjithsej. Pas tyre vijnë rrjetet nga Gambia dhe Maroku.

Raporti vlerëson se 94 rastet e raportuara në vitin 2017 të trafikimit të drogës janë më të lartat në dekadën e fundit ndërkohë, që vlera më e ulët shënohej në vitin 2011 me 49 raste. Të menjëhershme kanë qenë akuzat e opozitës për qeverinë shqiptare pas publikimit të këtij raporti.

Raporti i Antidrogës italiane i çjerr maskën qeverisë shqiptare dhe nxjerr në dritë të diellit situatën dramatike në lidhje me kultivimin dhe trafikimin e drogës, shkruan kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edmond Spaho në rrjetet sociale.

Ndërsa sipas deputetit Edi Paloka propagandës shterpë të “Rilindjes” tashmë i ka dalë boja dhe paratë e drogës, mund të blejnë heshtje ambasadorësh, por nuk mund të shërbejnë për të mashtruar gjithë Perëndimin./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!