Raporti i holandezëve për Shqipërinë: Po pengohet rruga drejt integrimit

schedule23:21 - 28 Maj, 2019

schedule 23:21 - 28 Maj, 2019

Kriza politike që ka përfshirë Shqipërinë po pengon rrugëtimin evropian të vendit. Kështu thuhet në raportin e misionit fakt mbledhës të Parlamentit holandez, i cili mes të tjerash nënvizon se Shqipëria është një vend ku institucionet e drejtësisë nuk janë funksionale.

Marrëdhëniet politike në Shqipëri po pengojnë avancimin e vendit në procesin e integrimit evropian. Është ky vlerësimi që ka bërë delegacioni i komisionit për çështjet evropiane të Parlamentit holandez, në raportin e publikuar pas misionit fakt-mbledhës të kryer në datat 6 deri më 8 maj në Shqipëri.

Ndonëse vlerësohet se Shqipëria është një vend me një demokraci deri diku funksionale, raporti i sheh me shqetësim marrëdhëniet mes qeverisë dhe opozitës, deputetët e të cilës kanë braktisur parlamentin dhe djegur mandatet.

Situata është shenjë e marrëdhënieve të vështira politike në Shqipëri, të cilat po pengojnë avancimin e demokracisë”, thotë raporti.

Ndër të tjera, dokumenti i ligjvënësve holandezë vlerëson procesin e vetingut për gjyqtarët dhe prokurorët, që siç thotë, është kryer nga një komision profesional dhe i pavarur. Por nga ana tjetër, raporti thekson se institucionet kryesore të drejtësisë, si Gjykata Kushtetuese, nuk janë funksionale.

Po ashtu raporti vlerëson me nota pozitive ngritjen e institucioneve të reja, si Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe ai i Prokurorisë, si dhe Strukturën e Posaçme Anti-korrupsion, por sërish vë në dukje se ato nuk janë funksionale. Sa i takon korrupsionit, në raport vlerësohet se rezultatet në luftimin e fenomenit në nivele të larta kanë qenë zhgënjyese.

Në përfundim, delegacioni fakt-mbledhës vlerëson se procesi i anëtarësimit, që vijon me hapjen e negociatave, mund të shënojë një progres në aspektin e zhvillimit institucional, por nënvizon se nuk ka përse të jetë domosdoshmërisht kështu./ABC News Albania 24/7