Departamenti Amerikan i Shtetit përjashton pas 7 vitesh Shqipërinë nga lista e vendeve mikpritëse për bizneset amerikane. Raporti, i publikuar në faqen zyrtare të DASH, ndërtohet mbi analizën ekonomike të mbi 170 shteteve të botës, duke vlerësuar klimën e biznesit dhe potencialin e tyre për të qënë treg për bizneset amerikane.
Kjo bazuar në vlerësimin specifik për çdo shtet të lirisë për investim, sistemit ligjor dhe rregullator, të drejtat e pronësisë dhe intelektuale, transparencën, vlerësimin e sipërmarrjeve me pronësi shtetërore dhe korrupsionin në vend. Përjashtimi i Shqipërisë nga lista e vendeve që ofrojnë treg për biznesin amerikan, është këmbanë alarmi për vendin, sipas Partisë Demokratike.
“Është një rrufe në qiellin e hapur të një vendi të qeverisur nga narkotrafikantët dhe oligarkët. Të mos jesh vend mikpritës për bizneset amerikane do të thotë se në Shqipëri ka klimë armiqësore ndaj tyre me taksa të larta, ka konkurencë të pandershme nga paratë e pista të trafikut të drogës dhe korrupsionit, ka përqendrim të ekonomisë tek një grusht oligarkësh dhe klientësh të Edi Ramës”.
Opozita e ka denoncuar këtë tendencë shkatërruese të ekonomisë edhe kur Dhoma Amerikane e Tregtisë ka theksuar klimën armiqsore ndaj biznesit, gjë e cila ka sjellë si reagim të qeverisë vetëm sulmin publik të kryeministrit ndaj denoncuesit, thekson Tabaku, duke listuar edhe arsyet që sipas demokratëve, kanë sjellë futjen e Shqipërisë në listën e zezë për bizneset amerikane.
“Opozita e ka denoncuar me forcë këtë sjellje të qeverisë, për shkak të së cilës Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendi më i fuqishëm ekonomik në botë, partneri ynë strategjik, renditet në vendet e fundit sa i takon investimeve të huaja në Shqipëri. Sot në Shqipëri nuk ka më vend për investitorë amerikanë, sepse ato i kanë zënë investitorët rusë e gjeorgjianë. Sot të vetmit që marrin tendera janë miqtë e kryeminsitrit. Sot çdo PPP jepet nga qeveria pa garë, me ofertë të pakërkuar. Sot ligjet bëhen me emra biznesesh. Sot praktikisht në ekonomi nuk ka më garë”.
Kjo krizë ka vetëm një zgjidhje, sipas demokratëve. Planin politik për rikthimin e ekonomisë në duart e sipërmarësve dhe tregtarëve të ndershëm, rikthimin e investimeve të huaja në rajon dhe kjo për Partinë Demokratike, kalon përmes rikthimit tek shqiptarët të çdo qindarka pasuri publike të grabitur nga kjo qeveri, përmes ndryshimit dhe më pas zbatimit të ligjit Antimafia.