Rama viziton qendrën e formimit profesional në Durrës

schedule15:06 - 15 Prill, 2019

schedule 15:06 - 15 Prill, 2019

20 mijë punëkërkues të papunë janë duke u trajnuar në qendrën e formimit profesional në Durrës. Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës së tij tha se të tilla programe i ndihmojnë që të punësohen menjëherë në sektorin privat.

Të jesh i punësuar nuk mjafton, duhet të kesh edhe kualifikim.

Mbështetja ofrohet nëpërmjet “Start SMART” një paketë e lançuar nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit në ndihmë të punëkërkuesve të papunë prej një kohe të gjatë, duke i trajnuar ata me aftësitë bazë për kërkimin e një vendi pune.

 “Konkretisht, një nga paketat e fundit që kjo qendër e formimit profesional ka lancuar është paketa “Start Smart” dhe që targeton të gjithë ata që kanë qenë të papunë për një kohë të gjatë, të larguar nga tregu i punës dhe i trajnon ata me aftësi bazë si të kërkojnë  një vend pune, por edhe si të kenë shprehitë e duhura për të fituar një vend pune”, u shpreh zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Dajna Sorensen

Një nga problemet kryesore të Zyrave të Punësimit, në aspektin e ndërmjetësimit për punë dhe profesion, është pasiviteti i punëkërkuesit të papunë dhe mungesa e motivimit për punë.

“Janë të gjithë punëkërkues të papunë, që vijnë nga zyra e punësimit dhe sot fillojnë kursin në qendrën tonë. Kursi është dyjavor, 4 orë mësimore çdo ditë, bëjmë vlerësimin e aftësive sociale dhe në fund bëjmë profilin që e çojmë në zyrën e punësimit. Zyra e punësimit orienton të gjithë në formim profesional ose në punësim”, tha një nga mësueset e qendrës .

“Të jeni të sigurt që kjo ju ndihmon shumë se ju e keni dëshirën për punë, por s’keni akoma një kualifikim minimal. Kështu që këtu merrni disa parime bazë, pastaj në vijim ne do t’ju ndihmojmë për të pasur kontaktet e duhura me sipërmarrjet dhe për të filluar punë”, tha Rama.

“Start SMART” u miratua në fund të Nëntorit të vitit 2018 dhe u pilotua në 5 qarqe të vendit (Shkodër, Elbasan, Durrës, Korçë dhe Gjirokastër). Për vitin 2019 do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë dhe synon trajnimin e 20 mijë punëkërkuesve të papunë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!