Rama viziton bizneset në Lezhe: Ulja taksave mundësi investimi

schedule15:28 - 13 Shkurt, 2019

schedule 15:28 - 13 Shkurt, 2019

Ulja e taksava ka ndikuar pozitivisht te bizneset. Këtë shprehje të tijën Kryeministri Edi Rama e ka përsëritur gjatë vizitës që ka zhvilluar në dy sipërmarrje të qarkut të Lezhës.

Lezha është bërë e njohur prej disa vitesh për zhvillimin e agroturizmit. Shembull që duhet ndjekur nga e gjithë Shqipëria- është sugjerimi i kryeministrit Edi Rama i cili ka shkuar të vizitojë një prej bujtinave më të njohura, Mrizin e Zanave në Fishtë.

 “Ne kemi bërë 6 dhoma dhe një nga arsyet që i bëmë është se në bazë të ligjit për turizmin duheshin mbi 5 dhoma për të përfituar uljen e TVSh në 6 %. Me thënë të drejtën ka qenë një ndihmë e mirë dhe për ne”.

Kryeministri Rama, gjatë ndalesës së tij në këtë model të agroturizmit, i dorëzoi sipërmarrësit Altin Prenga  certifikatën e argroturizmit.

“Kjo nuk është në Zvicër, as në Italinë e Veriut, as në Francë. Kjo është tek Mrizi i Zanave në Fishtë. Ta shikojnë të gjithë se si po zhvillohet agroturizmi dhe mbi të gjitha me çfarë shije po zhvillohen 100 fshatrat”.

Lehtësitë fiskale i kanë lejuar sipërmarrësit të përfshijë më shumë fermerë të zonës, produktet e të cilëve ai i merr dhe i përpunon për tua servirur klientëve në bujtinë. Investimi i tij i fundit është në ish burgun e Lezhës, të cilin ai e ka kthyer në një pikë të përpunimit të qumështit.

“Kjo ka qenë ish burg, ne e kemi rindërtuar. Kemi 35 familje që na furnizojnë me qumësht. Janë vetëm nga fshati Fishtë. Momentalisht janë me qumësht lope”.

Një tjetër investim privat është bërë publik nga kreu i qeverisë për tu thënë shqiptarëve se biznesi shqiptar prodhon dhe tregëton me standardet më të larta ushqimore për vendet e Bashkimit Europian. Një prej tyre është kjo fabrikë e përpunimit të ullirit dhe fruta-perimeve në Lezhë që arrin të mbulojë deri në 50% të tregut për ullirin e përpunuar në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, ndërsa ka depërtuar edhe në tregje të mëdha europiane, si Gjermani, Itali e Zvicër.

“Në të gjithë këtë volum eksporti që është rritur dhe që ka shkuar jashtë nuk ka asnjë kamion të kthyer mbrapsht për arsye të standardit, asnjë kamion me fruta, asnjë kamion me perime, asnjë lloj problemi, të gjitha brenda standardit, se këtu historia është futet në kazan një rast, bëhet nami, “janë me kimikate, janë me helme, janë me këto e janë me ato” edhe çmendet ky milet. Natyrisht që ka raste abuzimi, por produktet tona asnjë kamion nuk është kthyer mbrapsht, nga pikëpamja e standardeve, flas nga ana e garancisë dhe sigurisë ushqimore”.

Një mesazh ka edhe për median duke i kujtuar paketën e antishpifjes.

“Kur kemi filluar procesin për të kaluar antishpifjen në Parlament, – jam habitur, më shkruanin biznesmenë, “mos u tërhiq, na mbytën, na vënë gjoba dhe thonë, o paguaje, ose do të sulmoj në televizion, do të sulmoj në portal, në gazetë, do të të bëj copë, derisa të paguash”. Mirëpo, të gjitha këto janë stres për njerëzit.

Këto inspektime kryeministri Rama i ka kryer gjatë qëndrimit të tij dy ditor në qarkun e Lezhës. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!