Qeveria kaloi e gjitha në gjendje gatishmërie pas tërmetit të fuqishëm që tronditi vendin. Kryeministri Rama zhvilloi mbledhje të njëpasnjëshme me ministrat, grupin parlamentar, kryebashkiakët, prefektët dhe shtabet e emergjencës. Rama kërkoi që të komunikohet me qytetarët për të ulur panikun dhe premtoi se grupe ekspertësh do të jenë në terren për të inventarizuar dëmet.
Deputetët e grupit parlamentar të PS, ministrat e qeverisë dhe kryebashkiakët në të gjithë vendin do të jenë të shpërndarë në shtabet e ngritura për të menaxhuar situatën e krijuar pas tërmetit. Kreu i qeverisë iu referua ekspertëve kur qetësoi qytetarët e qarkut të Durrësit dhe Tiranës mbi dëmet që kanë pësuar në banesat e tyre.
Godina e Këshillit të Ministrave kishte pësuar krisje të dukshme në pjesën anësore të saj, por për shkallën e dëmtimit do të duhet ta vlerësojë grupi i ekspertëve që do të inspektojë ndërtesat në terren. Edhe në hyrjen kryesore ku hynin deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, krisjet e shkaktuara nga tërmeti ishin të dukshme.
Rrugët kryesore të kryeqytetit të dielën ishin të boshatisura. Ndaj edhe një kërkesë të veçantë kryeministri e kishte për kryebashkiakun e Tiranës në lidhje me anulimin e aktiviteteve të organizuara në ditën pa makina.
Duke rrëfyer eksperiencën personale në tërmetin e 30 viteve më parë, deputeti Paulin Stërkaj kërkoi të ketë një fond të posaçëm për emergjencat, në të cilin i bëri thirrje të parëve deputetëve të kontribuojnë.
Nga tërmeti 5.8 i shkallës Rihter, i cili e kishte epiqendrën në Adriatik, 10 km larg qytetit të Durrësit në vendin tonë janë shënuar edhe 320 lëkundje të tjera, por të gjitha të një magniture më të vogël./ABC News Albania 24/7