Rama: Të mblidhet Këshilli Politik, i bëj apel Bashës të mos përsërisë gabimet e të shkuarës

schedule21:00 - 21 Korrik, 2020

schedule 21:00 - 21 Korrik, 2020

Kryeministri Edi Rama ka folur për mediat pas arritjes së marrëveshjes me opozitën parlamentare në lidhje me ndryshimet kushtetuese.

Rama u shpreh se puna duhet të zhvendoset në këshillin politik.

Pavarësisht përçarjes së opozitës parlamentare për të votuar marrëveshjen e 5 qershorit, Rama tha se është i i bindur për miratimin e saj më 23 korrik.

Ndërkohë Kryeministri u shpreh se palët do të vazhdojnë të diskutojnë dhe i ka bërë apel kreut të demokratëve Lulzim Bashës që të mos refuzojë tryezat por të vazhdohet puna edhe pse ndoshta nuk mund të bien dakord për të gjitha.

“Parlamenti ka të drejtë të vendosë për gjithçka. Uroj që nesër të mblidhemi me Këshillin Politik. E kam shprehur dëshirën time, i kam thënë Damianit që jam gati që nesër. Do të vazhdojmë të diskutojmë.

Marrëveshja e nënshkruar sot dhe më 5 qershor duhet të kthehet në materie ligjore. Ka një arsye pse u zgjodh 23 korriku, sepse nuk kemi kohë. Duhet kohë që e kemi humbur prej PD-së.

Pra duhet të ngrihet edhe KQZ-ja e re. Ne do t’i qëndrojmë marrëveshjes por ndryshimet duan kohën e tyre. Pastaj ja sheshi, ja mejdani. Jo unë po kushdo që pretendon që të bëhet Kapedan.

I bëj apel Lulzim Bashës që të mos bëjnë gabimet e të shkuarës që të mos refuzojnë tryezat dhe të vazhdojmë punën se bashku. Nuk jemi të detyryar të biem dakord për të gjitha. Kemi mundësi që të biem dakord për shumëçka. PS ka bërë lëshimet e veta. E gjitha zhvillohet në sytë e popullit shqiptar. E kam thënë shumë herë kush i merr shqiptarët për budallenj, e ha”, tha Rama./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!