Rama takim me shqiptarët në New York: Imazhi jonë në botë ka ndryshuar, vota e diasporës më e lehtë me postë

schedule15:19 - 25 Shtator, 2024

schedule 15:19 - 25 Shtator, 2024

Kryeministri Edi Rama ndodhet në New York, ku po bën një takim me me përfaqësuesit e 100 shoqatave të shqiptarëve të Amerikës, me ftesë të aktivistit të njohur shqiptar dhe kreut të Këshillit Kombëtar të Diasporës, Mark Gjonaj.

Gjatë fjalës së tij, ai ka thënë se imazhi i shqiptarëve kudo në botë ka ndryshuar, pasi ka ndikuar zhvillimi i turizmit në vendin tonë.

Sakaq, Rama ka prekur dhe çështjen e votës së diasporës, e cila sipas tij me procedurat në postë është bërë më e lehtë.

“Nuk dua të zgjatem duke folur për turizmin sepse besoj e keni parë dhe e shikoni vet që turizmi është tanimë një sektor i ekonomisë që është në një shpërthim të madh. Patjetër që brenda për brenda këtij zhvillimi kaq të rëndësishëm ka sfida, kjo nuk diskutohet dhe po ashtu edhe në të gjithë sektorët e tjerë. Unë besoj që siç ka gjëra të rëndësishme që janë arritur, ka dhe sfida të rëndësishme për tu përballuar.

Në fund, në mbyllje të kësaj paranteze besoj që më e rëndësishmja e të gjithave është që të gjitha këto bashkë kanë sjellë edhe që Shqipëria sot të ketë një tjetër pozicion në botë në aspektin e reputacionit, në aspektin e respektit, në aspektin e emrit të vet dhe ma ha mendja se më shumë se kushdo tjetër dhe më mirë se kushdo tjetër këtë mund ta vlerësojnë dhe mund ta perceptojnë ata që jetojnë jashtë. Çdokush që jeton jashtë sot e ka kokën lartë kur thotë jam nga Shqipëria sepse reagimi është pozitiv dhe sot është shumë kollaj që të takosh kudo njerëz që të thotë se ishin ose kanë dëshirë të shkojnë në Shqipëri për ta vizituar Shqipërinë.

Ndërkohe që objektivi jonë strategjik është që brenda kësaj dekade, ne të jemi gati për tu anëtarësuar në Bashkimin Europian, çka do të ishte një arritje historike dhe një kapërcim i jashtëzakonshëm historik sepse përfundimisht do të linim të shkuarën mbrapa dhe do të rreshtoheshim si të barabartë me të gjithë ato vende që deri dje i kemi parë nga larg edhe pastaj e kemi arritur individualisht, por gjithmonë kemi parë nga poshtë – lartë kur vjen fjala për raportin shtetëror.

Një fakt që tashmë është i vulosur në ligjin e Kuvendit të Shqipërisë, në fund pas shumë vitesh përpjekje nga ana jonë, por në rastin e ligj zgjedhjeve duhet një shumicë më e madhe sesa shumica që ne kemi pasur në dispozicion dhe falë edhe një presioni pozitiv më të organizuar dhe më të ndjeshëm në Tiranë të vetë përfaqësuesve të Diasporës, ne tani e kemi këtë ligj dhe patjetër që të gjithë shqiptarët që janë jashtë dhe që kanë dëshirë të marrin pjesë në procesin zgjedhor kanë të drejtën dhe kanë mundësi të votojnë përmes një sistemi të thjeshtë besoj, që s’është si këtu në Amerikë, ku për të votuar duhet të regjistrohesh dhe pastaj, në momentin që regjistrohesh, në rastin e këtij sistemi që ne kemi, të vjen zarfi, ti aty brenda ke fletën e votimit, shënon në kutinë që dëshiron, shprehjen e vullnetin tënd, mbyll zarfin dhe e poston mbrapsht.

Në sistemin tonë vota shkon aty ku ke vendbanimin e regjistruar në Shqipërisë, pra aty ku figuron në listën e zgjedhësve. Në rast se do të shkoje fizikisht dhe numërohet si pjesë e votave të atij qarku ku bën pjesë bashkia, nga ku buron emri yt si rezident në Shqipëri, pra në atë adresë ku je i regjistruar në Shqipëri dhe ku ke vendbanimin“, tha Rama./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!