Kryeministri Rama do të takojë sot përsëri përfaqësinë e naftëtarëve në qytetin e Fierit, pas marrëveshjes së arritur mes tyre disa ditë më parë, pas grevës së urisë së grave naftëtare, e cila zgjati gati një muaj.
Mësohet se takimi do të mbahet rreth orës 17:00 në ambientet e bashkisë së qytetit.
Komisioni i Ekonomisë këtë të premte ka diskutuar buxhetin 2021, ku një ndër temat kanë qenë dhe naftëtarët e Ballshit.
Drejtoresha e Buxhetit në Ministrinë e Financave, Mimoza Dhëmbi ka bërë me dije se 560 mln lekë nga buxheti, do shkojnë si ndihmë për pagesën e naftëtarëve.
Naftëtarët e Ballshit u futën në grevë urie disa kohë më parë, pasi nuk kishin marrë pagat e prapambetura nga kompania.
Ata kërkuan të merrnin pagesat dhe njëkohësisht që Uzina të vijonte punën.
Ndërprerja e grevës së tyre erdhi pas thirrjes së kryeministrit Rama për të mos vazhduar më tej sakrificën, dhe të uleshin në bisedime për gjetjen e një zgjidhje të situatës.
n.d./abcnews.al