Ndërsa studentët i kanë lënë afat qeverisë deri sot në orën 16:00 për plotësimin e kërkesave të tyre, kryeministri Rama serish perseriti ftesen per dialog. Rama propozon edhe sallën e parlamentit si vendtakimi me studentët, për të zbërthyer siç shprehet kryeministri, 8 kërkesat e tyre në politika të aplikueshme.
“Të dashur protestues, kjo nuk është një lojë force, as kungulleshkash, e as e ka kush e ka!”
E nis kështu komunikimin në rrjetin social Facebook drejtuar studentëve protestues kreu i qeverisë Edi Rama, për të përsëritur atë që ishte lajtmotiv i deklaratës 100 minuta të një dite më parë.
“Vazhdojeni protestën sa të doni, po ngrini urën e komunikimit me qeverinë. Unë ju pres në çdo orë që të doni dhe jam gati të punoj me ju, jo për t’i dhënë përgjigje pozitive 8 pikave po e po, por për ta kthyer këtë moment, në çeljen e një faze të re transformimesh për universitetin”.
Refuzimi i këtij komunikimi me qëllim plotësimin e kërkesave, ofruar nga qeveria për protestuesit, do të ishte e para në historin, sipas Kryeministrit, i cili një pjesë të përgjegjësisë për refuzim të ftesës ia vesh mungesës së imagjinatës së studentëve, ndaj ofertën e riformulon në një thuajse sfidë.
”Mbase “tryeza e qeverisë” është një term që e kufizon imagjinatën, po fare mirë mund të takohemi në sallën e parlamentit në sytë e gjithë popullit shqiptar. Ju 140 plus tërë karriget e ministrave me 8 pikat tuaja dhe unë përballë jush, me 8+ pikat e mia”.
Ultimatumet ndaj kujt shtrin dorën e bashkëpunimit janë gjeneza e humbjes sipas kryeministrit, i cili në fund të postimit përsërit ftesën për ulje me studentët me qëllim përkthimin e kërkesave të tyre në politika financimi, investimi apo administrimi./abcnews.al