Olsi Rama, Drejtori i Përgjithshëm i Partizani, foli pas humbjes që Partizani pësoi me Vllazninë: “Para kësaj ndeshje thoja që ka edhe dy ndeshje, tani them që ka edhe një. Teuta duhet të fitojë me Apoloninë, ekip që na ka marrë ne pikë në Elbasan. Kështu që të shohim sa do të respektohet gara deri në fund.
Sigurisht janë ata shumë më të favorizuar se ne, pasi janë në timon. Shpresoj që rënia nga kategoria e Apolonisë të mos jetë arsye që të mos luajë. Pastaj është fusha ajo që vendos. Edhe unë sot e kisha parashikuar ndryshe ndeshjen, por doli ndryshe”.
PENALLTIA, VONESA NË VENDIM – “Nuk dua të komentoj. E keni parë vetë, unë kurrë nuk e kam parë atë hezitim. Kam parë videon me vëmendje dhe nuk shoh as komunikim të anësorit me kryesorin. Nuk e di se çfarë ka gjykuar në atë moment. E kam parë gjestin e Belicës dhe ai është sikur ka veshur atë këmishën lidhëse që përdorin në çmendina dhe dorën e ka të ngjitur me trupin.
Mbase për ta bërë më evidente vitin tjetër mbase i blejmë ca këmisha, por nuk di kujt t’ia vesh. Nuk e gjykoj dot. Do ia lë këtë rast ekspertëve. Vonesa është një gjë që të lë gjithmonë dyshime. Nuk e kam matur, por ka 25 sekonda që kalojnë derisa të merret vendimi. Nuk e kam idenë, do na e shpjegojnë ose do kërkoj raportin e zyrtarëve për të marrë vesh çfarë është diskutuar. Nëse ma japin mua, pasi ju gazetarëve ua japin më kollaj”.
“Loja? I bëj komplimente Vllaznisë, pa asnjë diskutim. Sot nuk ishte Partizani që unë prisja. E thashë që nuk ishte ndeshja që prisja dhe kjo për meritë të Vllaznisë. Ka respektuar garën, ka nderuar veten e vet. Në mendjen e tyre mbase kanë marrë hak për gjëra të tjera. Festuan shumë, nuk e di si do të jetë ndeshja tjetër. Edhe ata janë në garë, le të shohim dhe të mos mbyllim asnjë kapitull. Prandaj ky është një kampionat i bukur”.
“Mungesat? Nëse ka një gjë që kemi çaluar, ishte çështja e karakterit. Këto janë finale që fitohen me karakter, që fitohen me luftë. Atë që treguam në Durrës duhet ta jepnim edhe në këtë ndeshje kaq të rëndësishme. Nuk kam çfarë të shtoj, kemi shumë punë për të bërë. Jemi brenda pritshmërive, por kur je afër objektivit të madh tenton ta fitosh. Kur nuk ia del, dëshpërohesh. Mund të dilnim edhe barazim. Ne nuk kemi marrë rezultat pa lojë dhe kjo është çështje karakteri.
“E ardhmja? Kjo humbje do të thotë se kemi punë për të bërë. Kemi një ndeshje që duhet ta vlerësojmë, që shkojmë për ta fituar, me sytë nga “Niko Dovana” dhe në Shkodër. Nëse ky kampionat do vijojë njëlloj, pse jo mund të ketë surpriza. Ne na bënë kampion më parë dhe thoja ka ndeshje. Është edhe një javë për t’u luajtur”, tha Rama. /abcnews.al