Rama: Rektori të bëjë detyrën ose ndryshojmë ligjin

schedule15:25 - 8 Prill, 2019

schedule 15:25 - 8 Prill, 2019

Studentët e Universitetit të Tiranës nuk kanë akses në Bibliotekën Dixhitale. Kryeministri Edi Rama ka fajësuar Rektorin e Universitetit të Tiranës, Mynyr Konin duke e paralajmëruar se nëse nuk zbaton detyrat që i janë në dhënë nëpërmjet autonomisë së universiteteve, do të ndërhyjë në ligj.

Kryeministri Edi Rama, nuk i ka kursyer kritikat ndaj punës së Rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni. Këtë herë për pamundësinë e aksesismit në Bibliotekën Dixhitale nga studentët.

“Është e papranueshme që studentët në Universitetin e Tiranës nuk arrijnë të aksesohen në Bibliotekën Dixhitale. Rektori apo rektorati kanë përgjegjësi për aksesin e saj dhe nuk e kanë garantuar këtë minimum”, tha kryeministri.

Përgjigjet e Rektorit nuk janë gjë tjetër për kryeministrin përveç se ankesa të pabaza:

Ankohet pse unë e sjell këtë temë në diskutim domethënë edhe këtë përgjegjësi ta mbajmë ne?!

Megjithatë thotë se ka parë shkëndija bashkëpunimi nga rektori Mynyr Koni. Në të kundërt është gati të ndërhyjë edhe në ligj.

“Ne nuk do të presim shumë gjatë, do të ndërhyjmë edhe në ligj po qe nevoja, për ti bërë këto gjëra, sepse s’mund ti lëmë peng. Kanë filluar disa shenja pozitive dhe duhet të vazhdojë kjo punë e këto gjëra të adresohen”, tha Rama.

Në takimin ku u bë thirrja e katërt për Programin Kombëtar të Praktikave të Punës nuk munguan ankesat e studentëve, një prej të cilëve ankohej se ishte me mesatare 10, dhe nëse para vendimit të qeverisë nuk paguante asnjë lek, tani i ishte nënshtruar pagesës së gjysmës së tarifës.

Edhe për këtë kryeministri fajësoi universitetin.

Është pa sens që ju më parë nuk keni paguar dhe tani po paguani. Është legjitime ajo që thoni ju, ja u kemi thënë por…”

Hallka më sorrollatëse për studentët janë sekretaritë mësimore sipas shefit të qeverisë.

“Sekretaria e Universiteteve, ju pacit gjithë durimin për ti përballuar, sepse ç’më kanë parë sytë dhe ç’më kanë dëgjuar veshët ato janë  konfuze, japin shpjegimet kontradiktore, përgjigjen pa përgjegjësi...”

Sa i përket punësimit të studentëve ekselencë, Kryeministri Rama tha se praktikat janë hapur përtej kufijve të administratës publike dhe sektorit privat.

Janë rreth 2 mijë studentë që kanë realizuar praktikën e punës tre mujore gjatë 3 viteve të mëparshme, ndërsa këtë vit në kuadër të Paktit për Universitetin, Ministria e Arsimit ka arritur të koordinojë mbi 2 mijë vende të lira të punës, duke thyer rekordin e pozicioneve të hapjes së praktikave./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!