Kryeministri Edi Rama e di se kush e ka vënë tritolin në banesën e Xhisiela Malokut.
“Kush është i interesuar për të krijuar idenë se vajza është në një trysi psikologjike? Kush është i interesuar, ne? S’ka mendje, as peshqit e liqenit artificial, s’e besojnë këtë. S’ka mendje normale që e beson këtë. Ata kanë interest të cysin këtë histori me lëndë plasëse”, tha ai.
Në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, kryeministri Edi Rama njoftoi se do të dalë e vërteta edhe për vajzën e “Babale 2”. Se sa për “Babale 1” ai është akoma më i sigurtë me zbulimet e reja që ka në duar.
E hëna është dita që Lulzim Basha të zgjohet nga gjumi sipas këshillës së kryeministrit Edi Rama dhënë në fundjavë. Sepse kishte lajme të reja pas dyshimit të prokurorisë se zërit të vëllait të ministrit të Brendshëm i është gjetur emri.
“Nuk është vetëm analiza shkencore, por vetë aktori i pa paguar sipas premtimit të Bashës, që i ka dalë për zot zërit të vet në përgjim. Edhe një herë si zakonisht ky që kërkon Vetting për thashetheme nuk ka mbajtur fjalën e dhënë dhe aktori e ka tradhtuar regjisorin se nuk i ka marrë njëlloj si Babalja eurot e premtuar për rolin”, u shpreh kryeministri.
Edi Rama thotë se zullumi është më i trashë se kaq. Dhe këtë e di edhe Lulzim Basha sipas kryeministrit që nuk jep më shumë detaje, por që paralajmëron se lojës po i vjen fundi.
“Sepse Babalja nuk ra nga qielli dhe nuk e çoi te SHQUP-i ai gazetari kurajoz dhe këtë e di mirë kryetari i opozitës, prandaj kërcënoi prokurorinë”, theksoi Rama.
Denoncimet dhe akuzat e opozitës për një pjesë të deputetëve dhe ministrave të tij e kanë bërë kryeministrin Edi Rama që të investigojë dhe të kërkojë të vertetën.
Kështu ka vepruar edhe me akuzat ndaj Taulant Ballës. Prandaj i kërkon ish-ministres së integrimit Klajda Gjosha, një ndër firmëtaret e opozitës që kërkon largimin e Taulant Ballës nga kryesimi i delegacionit parlamentar të Stabilizim Asociimit që të shohë filmimet në komisaratin e Fushë-Krujës.
“E dashur Klajda, qetësohu! Taulanti është ai që ka qenë kur bashkëpunoje me të si drejtues i delegacionit. Ai nuk e ka bërë kurrë atë që e ka tronditur kaq shumë Monikën dhe për pasojë edhe ty”, tha Rama.
Pas kësaj ose ish-ministrja do të shkruajë një letër ndjesë për Parlamentin Evropian ose kryeministri do të jetë pro përjashtimit të kryetarit të grupit parlamentar socialist.
“Nëse do gjesh gjëkundi në ato filmime Taulant Ballën, apo qoftë dhe vetë heroin, të cilin Taulanti e paska kërcënuar me pistoletë në kokë, unë do votoj bashkë me ty, jo për të hequr Taulantin nga drejtimi i delegacionit për Brukselin, por për t’i hapur rrugë arrestimit të tij, pasi ta kem kallëzuar po unë dhe ti në prokurori. Të jap fjalën publikisht për këtë. Por, ama, edhe ti, nga ana jote, po s’gjete as Taulant, as oficer policie, as deputet, as kryetar bashkie që të ketë kapërcyer pragun e komisariatit në filmimet e të gjithë asaj dite që përshkruan heroi i “Babale 2”-shit, do ia shkruash, besoj, një letër ndjese Parlamentit Europian, pavarësisht se Monika do të të thotë, Klajda, mos e bëj”, u shpreh kreu i PS-së.
Por kryeministri thotë se e di të vërtetën ndaj nuk pret reagime të ndryshme nga opozita.
“Lehje sa gdhihet deri kur ngryset dhe “të dalë, ku të dalë, motra”. Kjo është opozita”, tha Rama.
Këtë të hënë ka vendosur të nxjerrë një sekret deri më sot nga biseda e natës së 17 Majit të vitit 2017 ku dëshmitar është vetëm Lulzim Basha.
“Po çfarë duan? Ua them unë, sepse ma ka thënë Luli, pushtetin me marrëveshje në tavolinë; Njëherë ti, njëherë unë”, u shpreh Rama.
Pushtet me marrëveshja nuk ka për të patur kurrë është përgjigja përfundimtare e kryeministrit Edi Rama.
“Por është e vetmja gjë që unë Lulit nuk ia jap dot. Mund t’i jap dhe gjysmën e zemrës, por këtë nuk ia jap dot, sepse pushteti nuk është i yni, është i atyre që kanë votën dhe ata, edhe po të dal unë me Gramozin dhe t’iu lutemi, nga veriu në jug, – se Taulanti, ndërkohë, nuk del dot, se do presë sa Klajda të shikojë filmimet – dhe t’iu themi, aman na e hiqni neve pushtetin dhe jepjani Lulzim Bashës, harrojeni. Ne na marrin me gurë, por Lulzimit pushtetin s’ia japin kurrë”, theksoi Edi Rama.