Një protestë me ndërtues pa leje, të kamufluar si mbrojtës mjedisi dhe të fshehur pas flamurit të PD.
Kryeministri Edi Rama ka denoncuar manipulimin e protestës në bulevard, me një grua e cila proteston për Zvërnecin, por nga ana tjetër ka ndërtuar në Kalanë e Durrësit pa leje dhe kundërshton shembjen në kuadër të pastrimit të trashëgimisë kulturore.
“Majtas: Një shtesë skandaloze pa leje brenda mureve të Kalasë së Durrësit. Shteti do ta shpronësojë në kuadrin e pastrimeve për Rilindjen e Zonës Historike, sipas projektit të miratuar”, ka shkruar Rama.
Rama shkruan se kjo zonjë, është e njëjta e cila me mikrofon në foltoren e protestës në bulevard, bën thirrje që diaspora të protestojë, ndërkohë që nuk pranon as të dëmshpërblehet, por paralajmëron vetëvrasje nëse i prishet ndërtimi pa leje.
“Djathtas: Një protestuese e përbetuar për mbrojtjen e mjedisit që bërtet, “Diaspora këtë vit nuk do të vijë për pushime, por për protestë”. Ajo është vetë ndërtuesja e shtesës pa leje, e cila ka deklaruar përpara meje se do hidhet me kokë nga tarraca, po nuk e pranon fondin e shpronësimit të atij çibani ngaqë i duket pak”, shtoi ai.
Madje Rama denoncon se gruaja është militante e PD, dhe ka marrë hipotekë për pronë në zonë të trashëgimisë kulturore, pikërisht në kohën e qeverisjes së Sali Berishës.
“Fakti pastaj që ky personazh grotesk është edhe militante e vajmedet Partisë Demokratike, e fut rastin në një kornizë shembullore të dashurisë për natyrën. Çibani ka një hipotekë nga koha e dy gishtave”, përfundoi Rama./abcnews.al



