Kryeministri Rama akuzoi prokurorët, sipas tij të frikësuar nga vettingu, për nxjerrje të sekretit hetimor të dosjes 339 tek opozita. Shefi i qeverisë tha se është drejtësia që do të vendosë për fajësinë ose jo të personave në hetim në ketë dosje.
Kryeministri Rama e quan të vonuar reagimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda lidhur me dosjen 339, dhe mendon gjithashtu se hetimi për ketë dosje duhet të kishte përfunduar. Nga Ura Vajguore ku çeli fushatën elektorale për zgjedhjet e 30 Qershorit, kreu i qeverisë akuzon prokurorë të caktuar për nxjerrje të sekreteve hetimore të kësaj dosje për qëllime politike.
Rama la të kuptohet se Vangjush Dakon dhe këdo tjetër të implikuar në ketë dosje e ka lëne në dorë të drejtësisë.
Ne dallim nga standardi i kësaj maxhorance para zbatimit te ligjit, shefi i qeverisë i kujtoi kundërshtarit politik problemet e tij me drejtësinë.
Kryeministri u shpreh se opozita po bën gjyqe publike me ato që i cilësoi “audio-përgjime të neveritshme” dhe “muhabete kazani”. /ABC News Albania 24/7