Kryeministri Rama prezantoi projektbuxhetin për shëndetësinë për vitin e ardhshëm. Ky buxhet, sipas shefit të qeverisë, mundëson rritje pagash për bluzat e bardha si dhe më shumë investime në sistemin tonë shëndetësor.
Vitin e ardhshëm Qeveria parashikon të rrisë me 7% pagat për 650 mjekë dhe rreth 14 mijë infermierë në të gjithë vendin. Këtë e bëri të ditur kryeministri Rama gjatë prezantimit të projektbuxhetit të 2019-s për shëndetësinë.
“ 18416 punonjës në sistemim e shëndetësisë do të kenë rritje page, duke filluar nga 3-mujori i dytë i vitit të ardhshëm prej 7%.”
Buxheti i vitit 2019, sipas shefit të qeverisë është 43 përqind më i madh se ai i para 5 viteve. Ndaj kjo-tha kryeministri – do të bëjë të mundur investime për përmirësimin e sistemit shëndetësor në tërësi.
“Kemi një program për rindërtimin në themel të 300 qendrave shëndetësore në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, nga të cilat, 80 të parat përfundojnë brenda këtij viti dhe 100 të tjera do të rindërtohen në vitin e ardhshëm. Modernizimi i Qendrës Spitalore Universitare është një proces në vazhdim dhe paralelisht, ne po modernizojmë spitalet rajonale. Janë sot në plan 5 maternitete të reja, si materniteti i Sarandës që është një model kuptimplotë i vizionit dhe i ambicies tonë për shëndetësinë që duam, që do të financohen në periudhën në vazhdim të këtij mandati, duke filluar me Beratin, qysh me buxhetin e këtij viti dhe me Korçën, qysh me buxhetin e këtij viti. Ne do kalojmë në një mbështetje financiare kuptimplotë, 400 dollarë për fëmijën e parë, 800 për të dytin, 1200 për të tretin. Nëse dalin dy bashkë marrin të dy 800 dollarë. Nëse dalin tre, marrin 1200.”
Rama e vuri theksin edhe tek Rimbursimi i barnave, për të cilin, siç tha kryeministri,- do të shkojnë më shumë para nga buxheti se deri tani.
“Ne sot kemi kaluar 100 milionë dollarët e barnave të rimbursueshme. Për vitin 2019 do rimbursojmë 104 milionë dollarë barna. 5 vite më parë ishte thuajse 30 milionë dollarë më pak.”
Shefi i qeverisë premtoi se brenda këtij viti do të përfundojë rehabilitimi dhe pajisja me infrastrukturë moderne në 80 qendra shëndetësore të vendit. Kryeministri nuk la pa përmendur edhe politikat sociale, si punësimi apo ndihma ekonomike për familjet në nevojë.
“U larguan 20 mijë që nuk e meritonin, por u futen 10 mijë e ca që kurrë nuk kishin marrë një lek ndihmë, duke qenë në derexhenë më të keqe. Sepse skema e vlerësimit funksionon dhe skema e vlerësimit nuk targeton varfërinë si koncept i përgjithshëm, po targeton varfërinë e skajshme. Ndërkohë ka ndodhur që 2475 familje që dolën nga skema, apo që mbetën në skemë, sot nuk marrin më para nga skema, sepse kanë njerëz të punësuar. Vitin që vjen, ne do të bëjmë një ndryshim të jep ndihmën ekonomike për sa kohë nuk të ofrohet dot punë. Në momentin që të ofrohet punë, ke të drejtën të refuzosh një herë. Nëse refuzon dy herë, nuk të jepet më ndihmë ekonomike, sepse nuk ta kanë për borxh të tjerët që punojnë, të paguajnë taksa që ti të vazhdosh të rrish në shtëpi, duke qenë fizikisht i gatshëm për punë, sepse është tjetër gjë pamundësia fizike.”
Për tu përshëndetur me të pranishmit në mbyllje të takimit, kryeministri Rama pati për ta një porosi.
“Kurajë, respekt ata që ju shajnë, thjesht dhe vetëm trajtojini me keqardhjen që meritojnë ata që janë për pak kamomil përpara gjumit.”/abcnews.al